Botë

Bideni viziton Evropën për bisedime mbi Ukrainën

“Derisa të jetë atje, qëllimi i tij është të takohet personalisht ballë për ballë me homologët e tij evropianë dhe të bisedojë, të vlerësojë se ku jemi në këtë pikë të konfliktit në pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Ne kemi qenë jashtëzakonisht të lidhur deri më sot", tha Psaki. “Kjo nuk ndodh rastësisht. Presidenti është një besimtar i madh në diplomacinë sy më sy. Pra, është një mundësi për të bërë pikërisht këtë”

Presidenti Joe Biden do të udhëtojë në Evropë javën e ardhshme për bisedime kokë më kokë me liderët evropianë rreth pushtimit rus të Ukrainës, njoftoi të martën sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Biden do të takohet me liderët evropianë në një samit të jashtëzakonshëm të NATO-s në Bruksel më 24 mars. Ai do të marrë pjesë gjithashtu në një samit të planifikuar të Këshillit Evropian, ku janë duke u zhvilluar përpjekjet për të vendosur sanksione, dhe po bëhen përpjekje të mëtejshme humanitare.

“Derisa të jetë atje, qëllimi i tij është të takohet personalisht ballë për ballë me homologët e tij evropianë dhe të bisedojë, të vlerësojë se ku jemi në këtë pikë të konfliktit në pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Ne kemi qenë jashtëzakonisht të lidhur deri më sot", tha Psaki. “Kjo nuk ndodh rastësisht. Presidenti është një besimtar i madh në diplomacinë sy më sy. Pra, është një mundësi për të bërë pikërisht këtë”.

Ndihmë ushtarake e humanitare për Ukrainën

Shtëpia e Bardhë njoftoi udhëtimin e presidentit pak përpara se Biden të nënshkruante të martën një projektligj që siguron 13.6 miliardë dollarë ndihmë shtesë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën, si pjesë e një mase të shpenzimeve qeveritare prej 1.5 trilionë dollarësh.

Bideni tha në ceremoninë e nënshkrimit të projektligjit se SHBA-ja “po lëvizte urgjentisht për të shtuar më tej mbështetjen për popullin e guximshëm të Ukrainës, ndërsa ata mbrojnë vendin e tyre”.

Udhëtimi pason vizitën e zëvendëspresidentes Kamala Harris në vendet e krahut lindor të NATO-s, Poloni dhe Rumani, javën e kaluar për të diskutuar me liderët krizën në rritje të refugjatëve në Evropën Lindore të shkaktuar nga pushtimi rus dhe për të nënvizuar mbështetjen e administratës Biden për aleatët e NATO-s.

Ministri i Jashtëm i Polonisë, Zbigniew Rau, tha të martën se një vizitë e Bidenit në Poloni ishte "shumë e mundshme" kur ai të shkonte në Evropë. Më shumë se 1.8 milionë ukrainas kanë ikur në Poloni që nga fillimi i luftës, kanë bërë të ditur Kombet e Bashkuara. Më shumë se 3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina qëkur Rusia filloi pushtimin e saj.

“Do të ishte e vështirë të imagjinohej një vend më i mirë për Shtetet e Bashkuara dhe për të gjithë aleancën për të theksuar pozicionin e tyre sesa lidhja më e ndritshme në krahun lindor, që është Polonia”, ka deklaruar Rau.

Psaki tha se nuk kishte detaje shtesë nëse Biden do të vizitonte Poloninë gjatë udhëtimit.

Kryeministrat e BE-së arrijnë me tren në Kiev

Njoftimi i Shtëpisë së Bardhë për vizitën e Bidenit në Bruksel erdhi në të njëjtën ditë kur kryeministrat e Polonisë, Sllovenisë dhe Republikës Çeke kanë mbërritur me tren në Kiev për t'u takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe kryeministrin ukrainas, Denys Shmyhal.

Kryeministrat mbërritën në qytet në emër të Këshillit të BE-së, tha Shmyal në Twitter, duke vlerësuar "guximin e miqve të vërtetë".

Udhëheqësit do të diskutojnë “mbështetjen për Ukrainën dhe forcimin e sanksioneve kundër agresionit rus”, shtoi ai.

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, gjithashtu postoi në Twitter fotot e takimit me kryeministrat e tjerë vizitorë.

“Këtu, në Kievin e shkatërruar nga lufta, po shkruhet historia. Pikërisht këtu, liria lufton kundër botës së tiranisë. Është këtu vendi ku e ardhmja e të gjithë neve është në balancë. BE-ja mbështet Ukrainën, e cila mund të llogarisë në ndihmën e miqve të saj - ne e sollëm këtë mesazh në Kiev sot”, tha ai.

Image

Rusia ia ndalon hyrjen Bidenit

Daniel Hamilton, ish-zëvendësndihmëssekretar i Shtetit për çështjet evropiane, tha se udhëtimi i Bidenit në Evropë vjen pasi Shtëpia e Bardhë duhet të vazhdojë të mbajë kundërshtimin kryesisht të unifikuar perëndimor ndaj Rusisë që nga pushtimi.

"Ndërsa lufta vazhdon, është e rëndësishme që presidenti të tregojë se nuk është ulur rehat përtej Atlantikut, porse ai është pjesë e takimit të koalicionit me kolegët evropianë në Evropë dhe se Shtetet e Bashkuara janë një fuqi evropiane", tha Hamilton, bashkëpunëtor rezident në Institutin Brookings, institut kërkimor në Uashington.

Rusia ia ka ndaluar hyrjen Bidenit, në ditën kur Shtetet e Bashkuara kanë ashpërsuar sanksionet kundër aleatëve rusë e bjellorusë të Vladimir Putinit. Moska thotë se Bideni po zbaton politika jashtëzakonisht rusofobe.

NATO-ja ndërkohë ka shprehur shqetësimin se Rusia mund të inskenojë ndonjë operacion të rremë për të kryer pastaj sulm me armë kimike në Ukrainë.

Në Bruksel, ministrat e Financave të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë ashpërsuar sanksionet kundër Rusisë, duke e ndëshkuar për pushtimin e Ukrainës. Rusia më nuk do ta gëzojë statusin e partnerit të privilegjuar tregtar me bllokun politik dhe ekonomik të Evropës. Ministrat e kanë përshkruar si historik vendimin e sotëm. Sanksioneve të reja u janë bashkuar edhe autoritetet e Britanisë së Madhe.

Kryetari i Kievit, Vitaly Klitchko, ka shpallur orë policore në kryeqytet, duke paralajmëruar se kryeqytetasit po përballen me një ditë të vështirë dhe të rrezikshme. Vendimi që për 35 orë t’u ndalohet lëvizja të gjithë qytetarëve ka ardhur pasi bombardimet ajrore qëlluan një stacion metroje dhe blloqe banimi gjatë natës, duke vrarë katër persona.

Banorët e ndërtesave janë kthyer për të parë ndërtesat e djegura. Ushtria ruse ende nuk ka arritur të marrë kontrollin e Kievit edhe 20 ditë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës.

Në Mariupolin strategjik, më shumë se dy mijë makina ia kanë dalë të largohen nga qyteti i rrethuar, kanë konfirmuar zyrtarët. Autoritetet vendase druajnë se më shumë se 2.500 persona janë vrarë ose kanë vdekur nga bombardimet dhe mungesa e ushqimit, ujit dhe ngrohjes.

SHBA-ja paralajmëron Kinën

Kina, pas paralajmërimeve amerikane për pasoja të rënda, ka mohuar raportet se po mundohet të ndihmojë ushtarakisht Rusinë. Mediat amerikane u janë referuar një ditë më parë burimeve brenda administratës së Bidenit se Rusia kishte kërkuar ndihmë ushtarake dhe humanitare nga Kina për t’iu shmangur pasojave të sanksioneve të shteteve perëndimore. Kjo çështje është diskutuar edhe gjatë një takimi të nivelit të lartë të diplomacive të të dy vendeve të hënën në Romë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka konfirmuar se do të vazhdojnë bisedimet diplomatike ndërmjet dy shteteve në luftë pas katër rundesh, që nuk sollën ndonjë rezultat të madh.

Por bisedimet me Rusinë përfunduan gjatë ditës dhe do të rifillojnë të mërkurën, tha të martën në Twitter negociatori ukrainas, Mykhailo Podoliak.

"Ne do të vazhdojmë nesër. Një proces negociatash shumë i vështirë dhe vicioz. Ka kontradikta thelbësore. Por sigurisht që ka vend për kompromis. Gjatë pauzës, puna në nëngrupe do të vazhdojë", tha ai.

Raundi i katërt i bisedimeve midis dy palëve filloi të hënën përpara se të "ndërpritet" deri të martën.

Përgatiti: Rexhep Maloku