Presidenti amerikan, Joe Biden, do të zhvillojë të martën një bisedë telefonike me aleatët evropianë për të diskutuar për zhvillimet më të fundit lidhur me situatën në Ukrainë, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë, raporton CNN-i.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministri i Italisë, Mario Draghi dhe kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, pritet të bëhen pjesë e diskutimit me Bidenin.
Kërkesa e Bidenit për bisedë me liderët evropianë vjen pak orë pas përfundimit të bisedimeve Ukrainë-Rusi që janë zhvilluar të martën për tri orë në Stamboll, me ndërmjetësimin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.
Ukraina dhe Rusia janë deklaruar pas përfundimit të bisedimeve. Derisa Rusia i ka përshkruar ato si konstruktive, Ukraina ka deklaruar se është diskutuar për neutralitetin ushtarak të saj dhe se për këtë është kërkuar garanci e sigurisë nga tri shtete të mundshme: Turqia, Polonia dhe Kanadaja.
Menjëherë pas përfundimit të bisedimeve, Rusia ka dalë me deklaratë se do t’i reduktojë në mënyrë drastike operacionet ushtarake në Kiev dhe Chernihiv.