Botë

Bideni do t’i dërgojë mesazhe Putinit nga Polonia

Presidenti amerikan, Joe Biden, do t’i dërgojë mesazhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, gjatë qëndrimit të tij të martën në Poloni.

AFP-ja raporton se Bideni do të mbajë fjalimin në Poloni një aleat kyç i SHBA-së – në të njëjtën ditë që Putini do të mbajë fjalimin e tij në Moskë, tre ditë para përvjetorit të fillimit të luftës në Ukrainë.

Bideni do të takohet në Varshavë të martën me presidentin polak, Andrzej Duda. Të mërkurën ai takohet me krerët e Bukureshtit Nine, një grup anëtarësh të NATO-s në Evropën Lindore.

Përveç kësaj, Shtëpia e Bardhë, bëri të ditur se ai do të flasë me telefon javën e ardhshme me liderët e Britanisë, Francës dhe Italisë, ndërkaq kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të jetë në Washington më 3 mars.

Por ngjarja kryesore publike e Bidenit do të jetë fjalimi i mbajtur të martën nga Kështjella Mbretërore e Varshavës rreth asaj se "si Shtetet e Bashkuara kanë mbledhur botën për të mbështetur popullin e Ukrainës ndërsa mbrojnë lirinë dhe demokracinë e tyre", bëri të ditur të premten zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.

Presidenti Biden do ta bëjë të qartë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë me Ukrainën, për aq kohë sa të duhet.