Shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk i kërkoi zyrtarisht falje presidentit francez, por pranoi se SHBA-ja nuk do të duhej që ta linte aleaten e saj më të vjetër të zihej në befasi. “Mendoj se ajo që ka ndodhur ishte – le ta përdorim frazën e anglishtes – e ngathët”, ka thënë Bideni, duke shtuar se marrëveshja për nëndetëset “nuk është bërë me shumë hir”. “E kisha përshtypjen se Franca ishte informuar për këtë shumë kohë më herët”, ka shtuar ai
Në përpjekjen për t’i rregulluar gjërat me aleatin e moçëm, presidenti Joe Biden i tha të premten homologut francez, Emmanuel Macron, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës u treguan “të ngathëta” rreth marrëveshjes sekrete amerikano-britanike me Australinë për nëndetëse, një ujdi kjo që e la Francën në baltë dhe e luhati besimin e Evropës në besnikërinë amerikane.
Bideni dhe Macroni përshëndetën njëri-tjetrin me shtrëngim të gjatë duarsh dhe rrahje shpatullash para takimit të parë sy më sy që nga shpallja publike e ujdisë në shtator, duke e shënuar përpjekjen e fundit amerikane për t’i zbutur ndjenjat e francezëve të lënduar.
Bideni nuk i kërkoi zyrtarisht falje Macronit, por pranoi se SHBA-ja nuk do të duhej që ta linte aleaten e saj më të vjetër të zihej në befasi.
“Mendoj se ajo që ka ndodhur ishte – le ta përdorim frazën e anglishtes – e ngathët”, ka thënë Bideni, duke shtuar se marrëveshja për nëndetëset “nuk është bërë me shumë hir”. “E kisha përshtypjen se Franca ishte informuar për këtë shumë kohë më herët”, ka shtuar ai.
Kontrata e prirë nga SHBA-ja për ndërtimin e nëndetëseve e zëvendëson një të tillë paraprake të arritur me Francën që e parashihte furnizimin e Australisë me nëndetëse bërthamore. SHBA-ja është dakorduar se veprimi, i cili do ta armatoste aleatin nga Paqësori me anije të cilësisë më të lartë dhe me mbushje bërthamore, do t’ia mundësonte Australisë frenimin e shtrirjes kineze në rajon.
Edhe
Bideni ka kërkuar të bisedojë me Macronin lidhur me Aukusin
Macroni ka thënë se dy aleatët do të zhvillojnë “bashkëpunim më të fortë” për të parandaluar mundësinë që mosmarrëveshje të tilla të ndodhin sërish në të ardhmen.
“Kemi qartësuar bashkërisht krejt çfarë duhet të qartësohet”, ka shtuar ai, kur është pyetur nëse marrëdhëniet SHBA-Francë janë riparuar. “Ajo që përnjëmend ka rëndësi tani është se çfarë do të bëjmë së bashku gjatë javëve në vijim, muajve në vijim dhe viteve në vijim”, ka thënë ai.
Në këtë aspekt, synimi i Macronit ishte që takimi të garantonte bashkëpunim më të gjerë me inteligjencën dhe ushtrinë amerikane rreth mbështetjes së operacioneve franceze antiterrorizëm në rajonin e Sahelit në Afrikë. Macroni i lartësoi “vendimet shumë operacionale, shumë konkrete” të Bidenit gjatë javëve të fundit, të cilat e ndihmuan ushtrinë franceze që t’i luftojë ekstremistët islamikë në Sahel.
Bideni dhe Macroni diskutuan gjithashtu për mënyrat e reja të bashkëpunimit në Indo-Paqësor, si dhe për Kinën, Afganistanin e Iranin, por edhe për ndryshimet klimatike, para samitit të OKB-së për klimën gjatë javës së ardhshme në Glasgow të Skocisë.
Edhe
SHBA-ja, Britania e Madhe e Australia arrijnë marrëveshje për nëndetëset me energji bërthamore
Pala franceze, e cila humbi më shumë se 60 miliardë dollarë nga zëvendësimi i marrëveshjes për nëndetëset, ka argumentuar se administrata Biden e ka çorientuar rreth bisedimeve me Australinë dhe madje ka adresuar kritika ndaj presidentit amerikan, duke pretenduar se ai i ka përvetësuar taktikat e pararendësit të tij bombastik, Donald Trump. Franca ishte veçanërisht e zemëruar për faktin se është “mbajtur në terr” rreth këtij ndryshimi madhor gjeopolitik.
Përplasja e luhati imazhin e një politikani të kujdesshëm që Bideni ka gëzuar në aspektin e angazhimit për stabilizimin dhe fuqizimin e aleancës transatlantike pas presidencës Trump.