Qëndrimet e ashpra të Bidenit gjatë fushatës dhe në ditët e para të presidencës ndaj sauditëve janë pjesë e mesazhit që ai ua dërgoi amerikanëve: Ditët e kontrolleve të dobëta ndaj diktatorëve dhe të fortëve duhet të marrin fund nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë të kenë besueshmëri në skenën botërore. Megjithatë, në muajt e fundit, retorika e tillë parimore i ka liruar rrugën një dremitjeje të madhe karshi politikës reale
Si kandidat për president, Joe Bideni nuk ngurronte t’i kritikonte diktatorët dhe liderët autoritarë teksa drejtonte politikën e tij të jashtme drejt idesë se bota është në luftën mes demokracisë dhe autokracisë.
Mirëpo, qasja e qeverisjes së Bidenit si president ka qenë pak më shumë bardhezi teksa ka tentuar t’i balanconte principet e larta me pragmatizmin në një botë të trazuar nga kriza ekonomike e nxitur nga pushtimi rus i Ukrainës, shqetësimet për ambiciet e Kinës dhe tensionet e larta për avancimin e programit bërthamor të Iranit.
Këto rrymime ishin të dukshme gjatë javës së kaluar kur Bideni ishte nikoqir në Samitin e Amerikave në Los Angeles. Mirëpo, vendimi i tij që të mos ftonte liderët që i konsideron diktatorë, krijoi dramë të madhe dhe nxiti disa liderë të tjerë ta bojkotojnë samitin.
“Ne nuk pajtohemi për gjithçka, por për shkak se jemi demokraci, punojmë nëpërmjet mosmarrëveshjeve me respekt dhe dialog të ndërsjellë”, ka thënë Bideni para pjesëmarrësve të samitit teksa tentoi t’i zbuste mosmarrëveshjet.
Ani pse Bideni po përjashtonte treshen e liderëve nga ky tubim, ekipi i tij i sigurisë kombëtare po bëhej gati për vizitën e mundshme në Arabinë Saudite, mbretëri e pasur me naftë, të cilën presidenti amerikan e quajti shtet “paria” në ditët e para si zot i Shtëpisë së Bardhë.
Pasi Bideni mori postin, administrata e tij e bëri të qartë se ai do të shmangte çdo përfshirje direkte me liderin de fakto të Arabisë Saudite, princin e kurorës, Mohammed bin Salman, pasi inteligjenca amerikane erdhi në përfundim se ai me shumë gjasë ka miratuar vrasjen dhe masakrimin e gazetarit Jamal Khashoggi në vitin 2018. Nëse vizita në Arabinë Saudite realizohet siç është planifikuar, Bideni pritet të takohet me princin Bin Salman.
Qëndrimet e ashpra të Bidenit gjatë fushatës dhe në ditët e para të presidencës ndaj sauditëve ishte pjesë e mesazhit që ai ua dërgoi amerikanëve: Ditët e kontrolleve të dobëta ndaj diktatorëve dhe të fortëve duhet të marrin fund nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë të kenë besueshmëri në skenën botërore. Megjithatë, në muajt e fundit, retorika e tillë parimore i ka liruar rrugën një dremitjeje të madhe karshi politikës reale.
Në kohën e ngritjes së madhe të çmimeve të naftës, situatës së brishtë në Lindjen e Mesme dhe shqetësimeve të vazhdueshme se Kina po zgjeron ambiciet e saj globale, Bideni dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare kanë vendosur se shmangia e sauditëve nuk është e përballueshme, ka thënë një zyrtar i lartë në Shtëpinë e Bardhë që ka folur në kushte anonimiteti.
Linjat e paqarta se me kë dhe si do të angazhohet SHBA-ja ka lënë Shtëpinë e Bardhë që të përballet me një pyetje të vështirë: Si mund të citojë presidenti parimin për refuzim të angazhimit me diktatorët në oborrin e shtëpisë së tij teksa vazhdon t’u bëjë thirrje zyrtarëve sauditë që kanë përdorur arrestimet masive dhe dhunën për t’i shtypur disidentët?
“Presidenti Biden u angazhua për vendosjen e të drejtave të njeriut dhe demokracisë në zemër të politikës sonë të jashtme. Kështu është”, ka thënë sekretari i Shtetit, Anthony Blinken, në mbyllje të samitit të premten. “Kjo nuk do të thotë se është totale”.
Mirëpo, Edward Frantz, historian në Universitetin e Indianapolisit, sheh shenja se Bideni ka rënë në kurthin e njëjtë si paraardhësit e tij kur bëhet fjalë për Lindjen e Mesme.
Presidenti Jimmy Carter, i cili tha se të drejtat e njeriut janë në qendër të politikës së tij të jashtme, u bllokua pas reputacionit të shahut të Iranit, Mohammed Reza Pahlavi. Presidenti Geroge H. W. Bush refuzoi të mbështeste kryengritjen ndaj Sadam Huseinit ani pse këshilltarët e tij e paralajmëruan se Iraku do të zhytej në luftë civile pa njeriun e tyre të fortë. Administratat amerikane nga presidenti Ronald Reagan deri te Barack Obama, shpërfillën torturën dhe ndalimet arbitrare të Qeverisë së Hosni Mubarakut në Egjipt për hatër të partneritetit strategjik në një cep të vështirë të botës.
“Është e dukshme se Bideni po detyrohet të largohet nga pozicioni i tij ndaj sauditëve, sepse mbajti qëndrim parimor ndaj Ukrainës”, ka thënë Frantz. “Mirëpo, është e vështirë të mos shohësh të njëjtat modele tani siç ishin krijuar në 80 vjetët e fundit”.
Grupet për të drejtat e njeriut dhe disa aleatë demokratë të presidentit kanë paralajmëruar Bidenin se vizita në Arabinë Saudite mund të jetë e rrezikshme.
Gjashtë demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve, përfshirë kryetarin e Komitetit të Inteligjencës, Adam Schiff, i kanë shkruar Bidenit se nëse vendos për vizitën, duhet të zbatojë premtimin për “përmirësim të marrëdhënieve që shërbejnë në interesat kombëtare të Amerikës’ dhe t’u bëjnë presion sauditëve për prodhimin e naftës, të drejtat e njeriut dhe blerjen e raportuar të raketave balistike nga Kina.
“Presidenti Biden duhet të pranojë se çdo takim me zyrtar të huaj u siguron atyre kredibilitetin e menjëhershëm në skenën globale, pavarësisht nëse është këtu qëllimi apo jo”, ka thënë Lama Fakih, drejtor i “Human Rights Watch” për Lindjen e Mesme.
“Takimi me Mohammed bin Salmanin pa angazhimin për të drejtat e njeriut do t’i shfajësonte liderët sauditë, të cilët besojnë se nuk ka pasoja për shkeljen e madhe të të drejtave”.