Botë

Përpjekjet e Bidenit për ngritjen e demokracisë

Presidenti amerikan vazhdimisht e ka përmendur se SHBA-ja dhe shtetet e tjera, me mendësi të saj, duhet t’i tregojnë botës se demokracia është mjeti më i mirë për shoqëritë, sesa autokracitë. Ky është plani kryesor i politikës së jashtme të Bidenit – duke i dhënë tjera kahe qëndrimeve amerikane, që me paraardhësin e tij, Donald Trump, ishin “Së pari Amerika”.

Presidenti Joe Biden mbylli Samitin dyditor për Demokracinë, duke premtuar se do t’i japë shtysë demokracisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në konferencën mbyllëse, Bideni ka thënë se e drejta e shenjtë e votimit është pragu i lirisë për demokraci. Presidenti amerikan ka thënë se edhe demokracitë më jetëgjata, siç është ajo e SHBA-së, nuk janë imune ndaj krizave.

Në samitin virtual që morën pjesë 110 shtete të botës, Bideni ka thënë se autokracitë kurrë nuk do ta shuajnë zjarrin e lirisë, që digjet në zemrat e njerëzve të të gjithë botës. Administrata e presidentit demokrat ka synuar që Samiti i Demokracisë, në përbërje prej 110 shteteve, të jetë si kornizë që shtetet të bashkëpunojnë në momentin e vështirë të demokracisë.

Bideni synon që një takim të radhës ta organizojë gjatë vitit të ardhshëm. Në vlerësimin e tij, presidenti amerikan ka deklaruar se demokracitë janë në situatë të vështirë dhe u ka bërë thirrje liderëve të botës që t’i bashkohen atij për ta këndellur demokracinë.

Presidenti amerikan dhe liderët e tjerë të botës konfirmuan iniciativën e re për t’ia pamundësuar autokracive përdorimin e teknologjisë për të shtypur disidentët dhe për të dobësuar integritetin e zgjedhjeve. Bideni ka thënë se përkrahja e mediave të pavarura dhe gjërave të tjera modeste do ta mundësonin lulëzimin e demokracisë përreth botës.

Mirëpo presidenti amerikan ka pranuar se rruga përpara do të jetë e vështirë për demokracinë, sidomos në kohën e ngritjes së autoritarizmit nëpër botë.

“E dimë se çfarë pune do të kemi përpara, por gjithashtu e dimë se jemi gati për këtë sfidë”, ka thënë Bideni në mbyllje të samitit dyditor.

Përkrahja financiare

Bideni ka premtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë vitit të ardhshëm do të shpenzojnë 424 milionë dollarë për t’i përkrahur mediat e pavarura dhe agjencitë kundër korrupsionit.

Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka thënë se samiti ishte një fillim i mirë për një vit të veprimeve.

“Shpresoj se 110 liderët do të bëjnë thirrje për principet bazë në shoqëritë demokratike dhe qëllimi është që të forcohet zëri ynë për ta kundërshtuar ngritjen e autokracive si Kina, Rusia dhe të tjerat”, ka thënë Rasmussen.

Presidenti amerikan vazhdimisht e ka përmendur se SHBA-ja dhe shtetet e tjera, me mendësi të saj, duhet t’i tregojnë botës se demokracia është mjeti më i mirë për shoqëritë, sesa autokracitë. Ky është plani kryesor i politikës së jashtme të Bidenit – duke i dhënë tjera kahe qëndrimeve amerikane, që me paraardhësin e tij, Donald Trump, ishin “Së pari Amerika”.

Shembja e demokracive

Mirëpo viti i tij i parë në zyrën e presidentit u përcoll me tërheqje të demokracisë nëpër krejt botën.

Dy muaj më parë, kryeministri i Sudanit u rrëzua me grusht shtet ushtarak, Kuba ashpërsoi kontrollin e internetit, pasi shpërthyen protesta në ishull, ndërkaq ushtria e Birmanisë rrëzoi qeverinë dhe burgosi lideren, Aung San Suu Kyi.

Bideni gjithmonë ka përmendur Kinën dhe Rusinë si shembuj të mbytjes së zërit të aktivistëve demokratikë dhe abuzimit me të drejtat e njeriut. Ai ka shmangur përmendjen direkte të dy shteteve në bashkëbisedimet me liderët, por prezenca e tyre ishte e dukshme.

Samiti është mbajtur në periudhën kur administrata e Bidenit i ka bërë presion Vladimir Putinit të Rusisë që të tërhiqet tubimi ushtarak në kufi me Ukrainën, me të cilin ka ngritur shqetësime në Washington dhe kryeqytetet evropiane.

Bideni në fillim të javës ka thënë t’ia ketë tërhequr vërejtjen Putinit për pasojat nëse Rusia e pushton Ukrainën.

Të dyja, Kina dhe Rusia, kanë kritikuar samitin. Dy ambasadorët e shteteve në Washington, me një ese të përbashkët, e kanë kundërshtuar tubimin. Ata kanë thënë se vendimi i Bidenit reflekton në mentalitetin e Luftës së Ftohtë që do të nxiste përballjen ideologjike dhe përplasjet botërore.

Shtetet e Bashkuara, së bashku me Australinë, Danimarkën dhe Norvegjinë, njoftuan të premten nisjen e një përpjekjeje të përbashkët, që synon të frenojë keqpërdorimin e teknologjisë nga fuqitë autoritare për të mbytur zërat kundërshtues dhe kërkon të ndihmojë në zhvillimin e inovacioneve të reja teknologjike që mbështesin të drejtat e njeriut.

Nisma, pjesërisht, bën thirrje për krijimin e një kodi të shkruar të sjelljes, që ka për qëllim të drejtojë qeverinë dhe kompanitë e teknologjisë mbi kriteret e të drejtave të njeriut për politikën e eksportit dhe licencimit. Sipas kartës globale për mallrat publike digjitale, qeveritë, grupet e shoqërisë civile, inxhinierët e softuerit dhe kompanitë e teknologjisë do t’i deklaronin parimet për produktet teknologjike me burim të hapur.

“Shtetet e Bashkuara do të marrin më shumë përgjegjësi për mjetet digjitale që eksportojmë”, ka thënë administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power. “Shumë shpesh, teknologjia e ka origjinën në një qendër inovacioni, si Shtetet e Bashkuara dhe eksportohet në vendet që e përdorin atë teknologji për t’i mundësuar abuzimet e të drejtave të njeriut”.

Ankesat për ftesa

Shtëpia e Bardhë gjithashtu u përball me një shqyrtim të kujdesshëm se kë ftoi në samit. Sipas CIVICUS Monitor, grup që monitoron liritë qytetare, vetëm 5% e popullsisë së 111 vendeve të përfaqësuara jetojnë në vende ku e drejta e fjalës së lirë, e drejta për të protestuar dhe të drejtat e tjera thelbësore qytetare respektohen plotësisht.

Disa vendet – përfshirë Indinë, Irakun, Pakistanin, Poloninë dhe Filipinet –u ftuan pavarësisht shqetësimeve të ngritura nga grupet e shoqërisë civile dhe Departamenti i Shtetit i SHBA-së për tendencat serioze antidemokratike ose shqetësimet për të drejtat e njeriut në ato vende.

Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë se ftesat nuk kishin për qëllim të synonin si "vulë miratimi" dhe administrata po kërkonte një "gamë të ndryshme zërash, fytyrash dhe përfaqësuesish në diskutim".

Bideni ka thënë se ishte gjithashtu një moment që Shtetet e Bashkuara të shikojnë nga brenda për të forcuar institucionet e veta demokratike dhe u bëri thirrje ligjvënësve amerikanë të miratojnë legjislacionin për të drejtat e votës, duke përfshirë Aktin e të Drejtave të Votimit të John Lewis. Legjislacioni mbështetet kryesisht nga demokratët në Kongres, por është bllokuar nga republikanët në Senat.

“Ajo që është e vërtetë në mbarë botën është e vërtetë edhe në Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Biden. “E drejta e shenjtë për të votuar, për të votuar lirisht, e drejta për të numëruar votën tuaj është pragu i lirisë për demokracinë”.