Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dhënë ultimatum homologut rus Vladimir Putin që as të mos e mendojë lëvizjen në territorin e NATO-s, në një fjalim para mijëra njerëzve të shtunën në Varshavë të Polonisë.
“As mos mendoni të lëvizni një inç të vetëm në territorin e NATO-s. Forcat amerikane nuk janë në Evropë për t'u përfshirë në konflikt me forcat ruse, forcat amerikane janë këtu për të mbrojtur aleatët e NATO-s”, ka thënë Bideni. “Ndëshkimet e shpejta janë të vetmet gjëra që do ta bëjnë Moskën të ndryshojë drejtimin. Të gjitha demokracitë e botës kanë përgjegjësinë për ta ndihmuar Ukrainën. Lufta ka qenë tashmë një dështim strategjik për Rusinë”.
Sipas presidentit të SHBA-së, pushtimi i Ukrainës nuk ishte veprim i një kombi të madh.
“Njerëzit intelektualë po ikin nga Rusia. Media shtetërore atje është e gjitha propagandë. Lufta po e kthen Rusinë në shekullin e XIX. Evropa duhet t’i japë fund varësisë së saj nga gazi rus”, u shpreh Biden.
Sa i përket Putinit, Bideni ka deklaruar se "ai nuk duhet të qëndrojë më në krye të Rusisë".