Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, ka thënë se është i nderuar të mirëpret Suedinë si anëtarja e 32-të e NATO-s, duke u shprehur se tash Aleanca “është më e fortë se kurrë”.
Ai ka shkruar në rrjetin social X se siguria dhe mburoja transatlantike është më e fortë.
https://www.koha.net/bote/411882/suedia-behet-zyrtarisht-anetarja-e-32-te-e-nato-s/
“Sot, kam nderin të mirëpres Suedinë si Aleatin e 32-të të NATO-s. 75 vjet më parë, kur u krijua NATO-ja, Presidenti Truman tha se Aleanca ‘do të krijonte një mburojë kundër agresionit dhe frikës nga agresioni’. Kjo mburojë – dhe siguria transatlantike – është më e fortë se kurrë”, ka shkruar Biden.
Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, të enjten i dorëzoi zyrtarisht dokumentet e anëtarësimit Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
“Me marrjen e këtij instrumenti të pranimit, më lejoni të jem i pari që do të mirëpres Suedinë si palë në Traktatin e Uashingtonit dhe anëtarin e 32-të të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut”, ka thënë të enjten sekretari i Shtetit Antony Blinken së bashku me kryeministrin suedez.