Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Suedia edhe zyrtarisht anëtare e NATO-s

Suedia i është bashkuar zyrtarisht NATO-s, dy vjet pas nisjes së agresionit të Rusisë në Ukrainë. Për NATO-n, anëtarësimi i Suedisë dhe i Finlandës, që ndajnë një kufi prej mijëra kilometrash me Rusinë, është zgjerimi më domethënës në disa dekada

Pas dekadash neutraliteti, Suedia është bërë edhe zyrtarisht anëtarja e 32-të e NATO-s. Konsiderohet hap i madh për një vend që dikur ishte i kujdesshëm për të mos e zemëruar Rusinë.

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, ka qëndruar të enjten në Uashington, me ç’rast ia ka dorëzuar në mënyrë ceremoniale dokumentet e ratifikimit sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, pas betejës së gjatë për të siguruar mbështetjen e nevojshme nga të gjithë anëtarët e NATO-s.

Sekretari Blinken ka thënë gjatë një konference të përbashkët se anëtarësimi i Suedisë në Aleancë është moment historik për të gjithë.

“Gjërat e mira vijnë për ata që presin. Ky është moment historik për Suedinë, për aleancën tonë dhe për marrëdhëniet transatlantike. Arsyeja pse kjo është përfshirje kaq e fortë dhe e fuqishme është sepse Suedia mishëron dhe promovon vlerat thelbësore që janë në thelb të NATO-s: demokracinë, lirinë, sundimin e ligjit”, ka thënë Blinkeni.

Ndërkaq kryeministri Kristersson i ka falënderuar të gjitha shtetet anëtare që e mbështetën anëtarësimin e Suedisë.

Edhe Deklarata e përbashkët e liderëve të NATO-s: Sulmi ndaj njërit, sulm ndaj të gjithëve Botë 2 j. më parë Deklarata e përbashkët e liderëve të NATO-s: Sulmi ndaj njërit, sulm ndaj të gjithëve

“Sot është ditë historike. Suedia është tani anëtare zyrtare e NATO-s. Do të doja të falënderoja të gjithë aleatët e NATO-s që e kanë përkrahur anëtarësimin tonë. Sot është një fitore për lirinë. Situata e sigurisë në rajonin tonë nuk ka qenë asnjëherë më e keqe që nga Lufta e Dytë Botërore”, ka thënë Kristersson.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë në një deklaratë në X se Suedia sjell “forca të armatosura të afta dhe industri të mbrojtjes të klasit të parë” dhe se Aleanca është bërë “më e fortë dhe më e sigurt”.

Ka reaguar edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i cili u shpreh se “NATO-ja tash është më e fortë se kurrë”.

“Sot kam nderin të mirëpres Suedinë si aleatin e 32-të të NATO-s. 75 vjet më parë, kur u krijua NATO-ja, presidenti Truman pati thënë se Aleanca ‘do të krijonte mburojë kundër agresionit dhe frikës nga agresioni’. Kjo mburojë – dhe siguria transatlantike – është më e fortë se kurrë”, ka shkruar Biden.

Suedia, sikur fqinja e saj Finlanda, prej kohësh pati përjashtuar mundësinë e anëtarësimit në NATO. Ky qëndrim ndryshoi brenda natës, kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Flamuri i Suedisë pritet të ngrihet të hënën në selinë e Aleancës së Traktatit të Atlantikut të Veriut në Bruksel.

Rusia është zotuar për kundërmasa pas anëtarësimit të Suedisë në NATO, veçanërisht nëse trupat dhe makineria ushtarake e Aleancës vendosen në këtë vend.

Suedia nuk ka qenë në luftë direkte që prej vitit 1814. Që nga ajo kohë, ky shtet ka përqafuar politikë neutraliteti duke refuzuar të marrë anë në çfarëdo lufte e duke refuzuar t’i bashkohet çfarëdo aleance ushtarake.

Edhe Kolumne 1 muaj më parë Efikasiteti i NATO-s në Kosovë nuk varet nga numrat

Çfarë sjell hyrja e Suedisë gjeografikisht?

Me Suedinë anëtare, i gjithë bregdeti i Detit Baltik do të jetë pjesë e territorit të NATO-s, me përjashtim të bregdetit të Rusisë dhe enklavës së saj të Kaliningradit. Në rast të një sulmi rus, për shembull, shtetet baltike do të ishin në gjendje të mbroheshin më lehtë. Njësitë dhe pajisjet mund të transferohen në Estoni, Letoni dhe Lituani shumë më lehtë nëpërmjet Suedisë. Ishulli suedez i Gotlandit luan rol veçanërisht të rëndësishëm këtu.

“Me Gotlandin, ishull i madh në mes të Detit Baltik, Suedia i ofron Aleancës bazë strategjike jashtëzakonisht të favorshme. Nga atje mund të kontrolloni praktikisht të gjithë Baltikun”, ka shpjeguar profesori Simon Koshut, i cili udhëheq politikën ndërkombëtare të sigurisë në Universitetin Zeppelin në Friedrichshafen.

Kosut ka theksuar se pozita gjeografike e Suedisë është arsyeja kryesore pse anëtarësimi në NATO është kaq tërheqës për atë vend.

Po ushtria suedeze?

Forcat e armatosura suedeze dhe pajisjet e tyre ushtarake konsiderohen gjithashtu pasuri e vlefshme për NATO-n. Është një vend i vogël dhe, duke folur numerikisht, nuk ka ushtri të madhe (sipas Indeksit Global të Fuqisë së Zjarrit, ushtria suedeze ka rreth 38 mijë ushtarë), por “suedezët kanë ushtri shumë moderne, veçanërisht forcat ajrore, që janë moderne dhe me avionë që i prodhojnë vetë”, sipas profesorit Kosut. Suedia është gjithashtu fuqi detare me nëndetëset e veta dhe tashmë është forcuar edhe në terren. Suedezët kanë marrë pjesë në misione të ndryshme të NATO-s, për shembull në Afganistan.

Suedia shpenzon rreth 1.3 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen, që është dukshëm më shumë se disa vjet më parë. Pritet që kjo përqindje të vazhdojë të rritet edhe në vitet në vijim. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Suedia, si shumë vende perëndimore, uli ndjeshëm shpenzimet e mbrojtjes. Rishikimi filloi pas luftës së Gjeorgjisë në vitin 2008, dhe më vonë pas aneksimit të Krimesë më 2014. Kjo u intensifikua më tej nga agresioni rus në Ukrainë.

Cilat janë përfitimet kryesore që do të marrë Suedia nga NATO-ja?

Edhe Sa më parë Kosova në NATO, më shumë siguri në Ballkanin Perëndimor Opinion 1 muaj më parë Sa më parë Kosova në NATO, më shumë siguri në Ballkanin Perëndimor

Suedia dhe NATO-ja tashmë bashkëpunojnë ngushtë në shumë mënyra. Ndryshimi vendimtar për Suedinë, pas anëtarësimit në NATO, i referohet nenit 5 të marrëveshjes së përbashkët, sipas të cilit sulmi i armatosur ndaj një vendi të NATO-s konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Në këtë rast, aleanca ushtarake është e detyruar të japë ndihmë.

“Sigurisht, kjo mbrojtje është vendimtare për Suedinë”, ka thënë politologu Kosut.