Presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar të mërkurën, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, se një luftë nukleare nuk mund të fitohet nga askush.
Bideni u ka kërkuar të gjitha kombeve të riangazhohen përmes diplomacisë për forcimin e regjimit të mospërhapjes bërthamore.
“Pavarësisht se çfarë po ndodh tjetër në botë, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndjekin masa kritike të kontrollit të armëve”, ka thënë Biden.
Ai është shprehur se “dita e sotme ka sjellë tendenca shqetësuese, pasi Rusia shmangi idealet e mospërhapjes së përqafuar nga çdo komb tjetër".
Bideni përsëriti se Rusia po bën kërcënime të papërgjegjshme se do të përdorë armë bërthamore.