Në një fjalim disaminutësh, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, ka deklaruar se me ish-presidentin Donald Trump kanë pasur një diskutim të shkurtër, por të mirë, pas atentatit.
Ai i uroi shërim të shpejtë kundërkandidatit, derisa ka thënë se do të bëjë gjithçka që hetimet të zhvillohen si duhet.
“Në Amerikë nuk ka vend për këtë lloj dhune. Për këtë çështje, një tentimvrasje është në kundërshtim me të gjithë atë që ne e mbështesim. Nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë. Uniteti është qëllimi më i pakapshëm nga të gjithë, por asgjë nuk është më e rëndësishme se kjo...Lëreni FBI-në të bëjë punën e vet dhe agjencitë partnere të bëjnë punën e tyre. Unë kam udhëzuar që ky hetim të jetë i plotë dhe i shpejtë, hetuesit do të kenë çdo burim që ju duhet për ta realizuar këtë”, është shprehur Biden.
Biden ka shtuar tutje se Trumpit ia ka ofruar sigurinë më të lartë.
“Zoti Trump, si ish-president dhe i nominuar i Republikanëve, tashmë ka marrë një nivel të lartë të sigurisë dhe unë kam qenë i qëndrueshëm në drejtimin tim të Shërbimit Sekret për t'ia ofruar atij çdo burim, aftësi apo masë mbrojtëse, të nevojshme për të ofruar siguri të vazhdueshme. Së dyti, unë i kam drejtuar kreut të Shërbimit Sekret që t'i rishikojë të gjitha masat e sigurisë për Konventën Kombëtare Republikanë, që është planifikuar të fillojë nesër. Së treti, kam nisur një rishikim të pavarur të sigurisë kombëtare për tubimin e djeshëm, për të vlerësuar saktësisht së çka ndodhi dhe ne do të ndajmë me popullin amerikan rezultatin e hetimit”, është shprehur ai më pas, derisa nuk iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.