Një shumicë e shteteve të Bashkimit Evropianë janë pajtuar ta furnizojnë Ukrainën me së paku një milion predha të artilerisë gjatë vitit tjetër.
Plani, në vlerë 2 miliardë euro, është dakorduar në Bruksel të hënën, raporton BBC.
Ukraina i ka thënë BE-së se i duhen nga 350 mijë predha në muaj për t’i frenuar trupat ruse dhe për të lansuar një kundërofensivë këtë vit.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, e ka quajtur këtë “vendim që ndryshon rrjedhën”.
“Saktësisht se çfarë duhet”, ka shkruar Kuleba në Twitter.
Ministrat e mbrojtjes dhe të jashtëm të 17 shteteve anëtare të BE-së e po ashtu ata të Norvegjisë nënshkruan marrëveshjen për municione.
Pjesa e parë e planit përqendron 1 miliard euro fonde të përbashkëta për shtetet e BE-së që të përdoren rezervat ekzistuese, me shpresën për t’i dërguar këto në Ukrainë deri në fund të muajit.
Pjesa e dytë e marrëveshjes përdor 1 miliard euro tjera për të porositur predha 155 mm për Ukrainën – predhat më të kërkuara të artilerisë.
BE-ja shpreson që ky urdhër i përbashkët do t’i nxisë firmat evropiane të mbrojtjes për ta rritur prodhimin, me shpresën që kontratat të mund të nënshkruhen deri në fillim të shtatorit.
Marrëveshja do të thoshte se çdo vend do të duhet të ndajë detajet e rezervave të municionit – diçka që zakonisht mbahet sekret.
Prodhimi aktual i municionit në Evropë, mbetet prapa niveleve që Ukraina këmbëngul se i duhen për ta luftuar Rusinë.
Ekzistojnë gjithashtu pyetje se si shtetet e BE-së mund të ndajnë nga rezervat e tyre pa e lënë veten të pambrojtur.