Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

BE-ja planifikon të blejë armë për Ukrainën me asetet e ngrira ruse

Bashkimi Evropian është duke e çuar përpara një plan që t’i përdorë të ardhurat e gjeneruara nga miliarda euro asete të ngrira ruse në Evropë, për të siguruar armë dhe fonde të tjera për Ukrainën, ka deklaruar të martën një zyrtar.

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell, mori dritën jeshile për planin nga shumica e ministrave të jashtëm të bllokut këtë javë, dhe ai shpreson që liderët e BE-së do ta miratojnë atë në një samit në Bruksel që fillon të enjten. Lëvizja vjen pasi Ukraina ka mungesë të rrezikshme municionesh dhe përpjekjet e SHBA-së për të marrë fonde të reja për armë kanë ngecur në Kongres, raportoi AP.

27-vendet e BE-së po mbajnë rreth 200 miliardë euro në asete të bankës qendrore ruse, shumica e tyre të ngrira në Belgjikë, si hakmarrje për luftën e Moskës kundër Ukrainës. Blloku vlerëson se interesi për ato para mund të sigurojë rreth 3 miliardë euro çdo vit.

“Rusët nuk do të jenë shumë të lumtur. Shuma e parave, 3 miliardë në vit, nuk është e jashtëzakonshme, por nuk është e papërfillshme”, u ka thënë Borrell gazetarëve.

Një grup i vogël vendesh anëtare, veçanërisht Hungaria, refuzojnë ta furnizojnë Ukrainën me armë, kështu që këto fitime të papritura do të ndahen. Rreth 90% e parave do të futeshin në një fond të posaçëm që shumë vende të BE-së tashmë e përdorin për të marrë rimbursimin e armëve dhe municioneve që dërgojnë.

Pjesa tjetwr prej 10% do të futeshin në buxhetin e BE-së për të ndihmuar në forcimin e industrisë së mbrojtjes të Ukrainës.

Edhe BE-ja arrin marrëveshje për t’i përdorur asetet ruse për ta ndihmuar Ukrainën Botë BE-ja arrin marrëveshje për t’i përdorur asetet ruse për ta ndihmuar Ukrainën

“Vendet që kundërshtojnë dërgimin e armëve mund të pretendojnë se nuk po armatosin vendin”, ka thënë Borrelli.

Buxheti i BE-së nuk mund të përdoret për të blerë armë, sipas interpretimeve aktuale të ekspertëve të traktateve të bllokut, por fondi i posaçëm - i njohur si Lehtësia Evropiane e Paqes, është jashtë buxhetit dhe nuk duhet të respektojë të njëjtat standarde ligjore ose të jetë miratuar nga Parlamenti Evropian.

Banka Qendrore Evropiane, ose BQE, ka paralajmëruar në të kaluarën kundër konfiskimit të aseteve ruse pasi kjo mund të minojë besimin në monedhën euro dhe tregjet e BE-së. Por Borrelli ka thënë se asnjë pasuri nuk do të merret, vetëm fitimet e papritura që ato bëjnë. Ai shtoi se BQE është konsultuar për planin.