Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

BE-ja ashpërson qëndrimin ndaj shteteve joanëtare për shkak të emigrantëve

Bashkimi Evropian mund të përdorë ndihmën për zhvillim, politikën tregtare dhe qasjen në viza si “levë” mbi vendet jo anëtare të BE-së që mendohet se po dështojnë të marrin mbrapsht shtetasit e tyre të cilëve u është mohuar e drejta për të qëndruar në Evropë, sipas një projekt-komunikimi të marrë nga The Guardian.

Liderët e 27 shteteve të BE-së mund të miratojnë një plan në një samit në Bruksel muajin e ardhshëm për të përdorur “të gjitha politikat relevante, instrumentet dhe mjetet e BE-së, përfshirë zhvillimin, tregtinë dhe vizat si dhe mundësitë për migrim legal” si “levë” mbi shtetet e migrantëve.

Drafti reflekton momentumin e ngritjes së ashpërsisë me qeveritë që nuk janë në BE – zakonisht në Lindje të Mesme, Afrikë dhe Azi – të cilat dështojnë të marrin mbrapsht qytetarët e tyre të cilëve u mohohet e drejta për të qëndruar në Evropë. Në gjysmën e parë të 2022-s, 179,600 persona u urdhëruan të largohen nga një shtet anëtar i BE-së, por vetëm 33,600 u kthyen në shtetet e tyre të origjinës.

BE-ja për kohë të gjatë ka pasur vështirësi t’i kthejë personat që iu është mohuar e drejta për të qëndruar.

Kjo lëvizje për ashpërsim të politikës me gjasë do të mirëpritet nga shumë shtete që janë përballur me rritje të numrit të migrantëve që shkojnë përmes tokës apo detit nëpër rrugë ilegale.

Sipas konkluzioneve të draftit, liderët evropianë do të nxisin shtetet fqinjë që të renditen me bllokun në politikën e vizave. Kjo reflekton zemërimin ndaj Serbisë për mungesën e kërkimit të vizave për shumë shtete, duke e bërë më të lehtë për migrantët ilegalë të udhëtojnë në BE përmes shtetit ballkanik.