Komisioni Evropian ka vlerësuar se Kosova ka vazhduar t’i përmbushë obligimet që nga liberalizimi i vizave, por ka kërkuar që të bëhet më shumë në informimin e qytetarëve të Kosovës se lëvizja pa viza nuk duhet të keqpërdoret për të kërkuar azil të pabazuar në vendet e Bashkimit Evropian.
Në raportin vjetor të liberalizimit të vizave për të gjitha shtetet nëpër botë, BE-ja konstaton me shqetësim se keqpërdorimi i liberalizimit për të kërkuar azil ka vazhduar ndërsa në disa raste, si ai i Kosovës, ka ardhur deri te rritja e kërkesave për azil. Në këtë raport, Komisioni Evropian ka përdorur shifrat për vitin 2024 për të cilin ato janë të plota.
Komisioni Evropian në këtë raport thekson se parandalimi i paraqitjes së kërkesave të pabazuara për azil duhet të mbetet prioritet për të gjithë partnerët që gëzojnë mundësinë e lëvizjes pa viza, e kjo vlen sidomos për Kosovën, por edhe për Shqipërinë, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.
Komisioni Evropian kërkon që autoritetet e Kosovës të bashkëpunojnë edhe më shumë me vendet anëtare të BE-së për të adresuar në mënyrë më të mirë problemin e kërkesave të pabazuara për azil.
Komisioni Evropian njeh faktin se autoritetet në Kosovë kanë zhvilluar fushata të duhura për ndërgjegjësimin e qytetarëve, por kërkon që të vazhdojë me këtë proces, në mënyrë që qytetarët të kuptojnë më mirë të drejtat dhe obligimet që dalin nga liberalizimi i vizave.
Nga Kosova, sikur edhe nga vendet e tjera që kanë liberalizim vizash, kërkohet që edhe më shumë të përshtatin regjimin e tyre për viza me atë të BE-së. Kjo ka të bëjë me mundësinë e ardhjes pa viza në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, e pastaj kalojnë ilegalisht në territorin e BE-së. Këtë dukuri BE-ja, sidomos në rastin e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, e sheh edhe si rrezik potencial për sigurinë e BE-së.
Komisioni Evropian ka kërkuar nga Kosova edhe parandalimin e lëshimit të dokumenteve false të identitetit dhe udhëtimit me identitete të rreme, si dhe me përmirësimin e kapaciteteve për zbulimin e dokumenteve të falsifikuara.
Kërkohet që të vazhdohet bashkëpunimi me Interpolin për dokumentet e humbura dhe të vjedhura e të zbatohet në tërësi ligji i ri dhe Udhëzimi Administrativ për Kartat e Identitetit, në mënyrë që të rritet edhe siguria e dokumenteve.
BE-ja vazhdimisht ka rikujtuar Kosovën dhe vendet e tjera se me hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave nuk kanë përfunduar obligimet për të përmbushur kërkesat, por ato janë të vazhdueshme.