Rusia po synon ta marrë mbështetjen e Afrikës, në luftën ndaj Ukrainës, që nisi tash e pesë muaj. Siç raportoi BBC-ja të dielën, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, nisi një turne vizitash në vendet afrikane me qëllim që t'i “bindë” për ta përkrahur ushtrinë ruse.
Egjipti është shteti i parë ku do të shkojë Lavrov në këtë udhëtim të shkurtër diplomatik. Më pas, do të ndalet në Etiopi, Ugandë dhe në Republikë të Kongos.
Në prag të vizitave, Lavrov deklaroi se Rusia “gjithmonë i ka mbështetur afrikanët, sidomos në luftën e tyre për liri nga zgjedha koloniale”. Ai tha se Moska e vlerëson lart “pozicionin e ekuilibruar” të afrikanëve ndaj Ukrainës.
Por, lidhjet e Rusisë me vendet afrikane nuk janë të reja. Më 2 mars, kur po votohej në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së rezoluta që dënonte agresionin rus mbi Ukrainë, vetëm 28 nga 54 shtete votuan pro. Të tjerat abstenuan ose nuk ishin të pranishme në mbledhje. Në mesin e vendeve që votuan kundër ishte edhe Eritrea. Në Kajro të Egjipit, Lavrovi zhvilloi bisedë me homologun e tij, Samekh Shukri. Pas takimit, në një konferencë të përbashkët për media, Shukri tha se Egjipti thekson nevojën për një zgjidhje të shpejt të krizës, që sipas tij, ka ndikuar në sigurinë globale të ushqimit dhe të energjisë.
Në anën tjetër, Lavrov tha se ka zhvillim të frytshëm të marrëdhënieve mes Rusisë e Egjiptit, duke shtuar se tregtia është rritur për 5 për qind, apo 4 miliardë dollarë, në krahasim me vitin e kaluar. Egjipti vlerësohet i rëndësishëm për Rusinë, për faktin se ish-shteti sovjetik e furnizon me grurë dhe armë.
Edhe
“Lufta e re e Ftohtë”: Rusia e Perëndimi përplasen për Afrikën
Por, aktualisht, shqetësimi kryesor për Egjiptin dhe për vendet e tjera afrikane është mungesa e grurit. Sipas Bankës Afrikane, Ukraina dhe Rusia furnizojnë më shumë se 40 për qind të kontinetit me grurë. Në të njëjtën kohë, Egjipti është blerësi më i madh i grurit ukraianas në botë; në vitin 2019 importoi 3.6 milionë tonë, më shumë se çdo shtet tjetër.
Lavrov i hodhi poshtë akuzat që Rusia po shkakton krizë humanitare. Ai deklaroi se sanksionet e shteteve perëndimore ndaj Rusisë kanë rritur “tendencat negative” në tregun ndërkombëtar të ushqimit. Ai u shpreh i gatshëm për respektimin e marrëveshjes që u nënshkrua në Stamboll të Turqisë, që Ukrainës t'i lejohet eksport i grurit. Lavrovi hodhi akuza ndaj udhëheqjes ukrainase, duke thënë se populli ukrainas është i pafajshëm.
“Na vjen keq për popullin ukrainas, i cili meriton më mirë. Na vjen keq për historinë e Ukrainës, e cila po shembet para syve tanë, dhe na vjen keq për ata që iu nënshtruan propagandës shtetërore të regjimit të Kievit. Atyre që e mbështesin atë, që synon ta bëjë Ukrainën një armik të përjetshëm të Rusisë”, tha Lavrov.
Sipas tij, populli ukrainas e ai rus do të vazhdojnë të jetojnë së bashku.
“Ne patjetër do ta ndihmojmë popullin ukrainas ta heqë qafe regjimin, i cili është absolutisht antipopullor dhe antihistorik”, shtoi Lavrov.
Edhe
Ministri i Jashtëm rus shkon në botën arabe për mbështetje
Ministri i Jashtëm rus tha se ukrainasit po inkurajohen nga "shëruesit perëndimorë", duke përmendur Londrën, Uashingtonin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
Siç thuhet në analizën e BBC-së, shtetet afrikane po ngurrojnë të marrin anë në luftën mes Rusisë e Ukrainës, për faktin se kanë frikë nga përsëritja e Luftës së Ftohtë, që pati një efekt të madh në tërë kontinentin afrikan.
Lavrov në anën tjetër, po përpiqet t'i bindë vendet afrikane që të qëndrojnë në anën e Rusisë, nën arsyetimin se do ta ndihmojnë Afrikën “në përfundimin e procesit të dekolonizimit”.
Për në vitin 2023 është caktuar të mbahet samiti Rusi-Afrikë. Ukraina po bën çmos ta bindë Afrikën që të mos jetë pjesëmarrëse në këtë samit, nën arsyetimin që ta shmangë çdo bashkëpunim me agresionin rus.
Edhe
Rubio dhe Lavrov takohen sot në Malajzi
“Ne jemi të vetëdijshëm për synimet e Rusisë për ta mbajtur samitin e dytë Rusi-Afrikë në Shën Petersburg. Ne vazhdimisht u bëjmë thirrje partnerëve tanë ndërkombëtarë, përfshirë ata në Afrikë, të përmbahen nga pjesëmarrja në ngjarjet e mbajtura nga shteti agresor”, deklaroi përfaqësuesi special i Ukrainës në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, Maksym Subh.
Sipas Subh, forcimi i sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë, do ta dobësojë bashkëpunimin Rusi-Afrikë.