Situata në Gazë është përkeqësuar ndjeshëm pas ofensivës izraelite, duke e shkatërruar sigurinë dhe duke e vështirësuar shpërndarjen e ndihmave ushqimore për banorët e uritur. Ndihmat e ardhura janë marrë shpesh nga banda dhe tregtarë, të cilët i shesin me çmime të larta. Pavarësisht përpjekjeve të OKB-së dhe Fondacionit Humanitar të Gazës për ta menaxhuar shpërndarjen, dhuna dhe kaosi vazhdojnë. Zgjidhja e vetme, sipas OKB-së, mbetet një armëpushim dhe heqja e bllokadës së Gazës.
Siguria në Gazë është shkatërruar pas ofensivës së Izraelit, duke e bërë thuajse të pamundur dërgimin e ushqimit në mënyrë të sigurt për palestinezët që vuajnë nga uria. Një pjesë e madhe e ndihmave të kufizuara që hyjnë aty po grumbullohen nga banda dhe tregtarë, të cilët i shesin me çmime të larta.
Një kilogram miell ka shkuar deri në 60 dollarë, ndërsa një kilogram thjerrëza deri në 35 dollarë, çmime shumë të larta për shumicën e banorëve në këtë territor, ku ekspertët paralajmërojnë për rrezikun e urisë dhe ku njerëzit janë duke i shpenzuar kursimet e tyre pas 21 muajsh prej fillimit të luftës Izrael-Hamas.
Vendimi i Izraelit këtë fundjavë për të lejuar më shumë dërgesa ndihmash – nën presion ndërkombëtar – i ka ulur paksa çmimet, por kjo ulje ende nuk është ndier plotësisht në terren.
Qeset e miellit në tregje shpesh e bartin logon e OKB-së, ndërsa paketimet e tjera tregojnë se janë shpërndarë nga Fondacioni Humanitar i Gazës, i mbështetur nga Izraeli - të gjitha këto janë dhuruar fillimisht pa pagesë. Nuk dihet saktësisht sa prej ndihmave po devijohen, pasi asnjë nga këto organizata nuk ka mundësi të ndjekë kush i merr ato.
Në trazirat gjatë shpërndarjes së ndihmave në javët e fundit, banorët thonë se më të fortët janë ata që shpesh arrijnë të marrin ushqim.
Mohammed Abu Taha, i cili jeton në një tendë me gruan dhe fëmijën pranë qytetit Rafah, tha se banda të organizuara me burra të rinj janë gjithmonë në krye të turmave kur ai i viziton vendet e Fondacionit Humanitar të Gazës.
“Është një biznes i madh,” tha ai.
Çdo mënyrë për ndihmë po kalon përmes kaosit
OKB-ja thotë se deri në 100.000 gra dhe fëmijë vuajnë nga kequshqyerja akute, organizatat humanitare dhe mediat raportojnë se edhe stafet e tyre po vuajnë nga uria, ndërsa Ministria e Shëndetësisë e Gazës thotë se dhjetëra palestinezë kanë vdekur nga shkaqe të lidhura me urinë në tri javët e fundit.
Kur OKB-ja e merr lejen nga Izraeli për të shpërndarë ndihma, konvojët e saj shpesh sulmohen nga banda të armatosura ose mbulohen nga turma të uritura në zonën kufitare të kontrolluar nga ushtria.
Programi Botëror i Ushqimit (WFP) tha javën e kaluar se do të mund të shpërndajë ndihmat vetëm për më të rrezikuarit, pasi të rikthehet siguria e brendshme – e cila pritet të ndodhë vetëm nëse arrihet një armëpushim.
“Ndërkohë, duke marrë parasysh nevojën urgjente që familjet të kenë qasje në ushqim, WFP do të pranojë që njerëzit e uritur të marrin ushqimin nga kamionët, për sa kohë që nuk ka dhunë”, tha zëdhënësja Abeer Etifa.
Në sistemin alternativ të shpërndarjes së ndihmave të Fondacionit Humanitar të Gazës, i menaxhuar nga një kontraktues amerikan, palestinezët shpesh e kalojnë një rrezik të madh.
Mbi 1.000 palestinezë janë vrarë nga trupat izraelite duke kërkuar ushqim që prej majit, kryesisht pranë vendeve të Fondacionit, sipas zyrës së të drejtave të njeriut të OKB-së, dëshmitarëve dhe autoriteteve lokale shëndetësore. Ushtria thotë se ka shtënë vetëm në ajër si paralajmërim kur njerëzit u afrohen forcave të saj, ndërsa Fondacioni thotë se kontraktuesit e saj të sigurisë kanë përdorur vetëm sprej piperi ose kanë shtënë në ajër në disa raste për ta parandaluar përmbytjen e turmës.
“Duhet të jesh i fortë dhe i shpejtë”
Një burrë në të tridhjetat, i cili kërkoi të mbetet anonim nga frika e hakmarrjes, tha se i ka vizituar vendet e Fondacionit rreth 40 herë që kur u hapën dhe pothuajse gjithmonë është kthyer me ushqim.
Ai e shiste shumicën e tij për të blerë nevoja të tjera për familjen.
Heba Jouda, e cila gjithashtu i ka vizituar shpesh këto vende, tha se burrat e armatosur i vjedhin ndihmat teksa njerëzit kthehen dhe tregtarët ofrojnë të blejnë ushqimin.
“Për të marrë ushqim nga organizata amerikane, duhet të jesh i fortë dhe i shpejtë”, tha ajo.
Pamjet e filmuara nga palestinezët në vendet e Fondacionit dhe të shpërndara gjerësisht, tregojnë skena kaotike, me turma burrash që vrapojnë nëpër korridore të mbyllura dhe ngjiten për t’i marrë kutitë nga toka. Fondacioni thotë se i ka vendosur korsitë e veçanta për gratë dhe fëmijët dhe po i shton programet për shpërndarjen e ndihmave drejtpërdrejt në komunitete.
Edhe shpërndarjet e OKB-së shpesh përfundojnë në dhunë dhe kaos, me mijëra njerëz që i mbushin shpejt kamionët pranë trupave izraelite. OKB-ja nuk pranon mbrojtje nga Izraeli, duke thënë se preferon të mbështetet në ndihmën e komunitetit.
Ushtaria izraelite nuk iu përgjigj emaileve që kërkonin koment për shitjen e ndihmave. Izraeli mohon se lejon plaçkitës të operojnë në zonat që i kontrollon dhe e akuzon Hamasin për zgjatjen e luftës duke mos dorëzuar.
“Nuk ka asnjë politikë urie në Gazë dhe nuk ka uri në Gazë”, tha të dielën kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Situata ndryshoi ndjeshëm në mars
Për pjesën më të madhe të luftës, agjencitë e OKB-së arritën të shpërndanin ndihma në mënyrë të sigurt, pavarësisht kufizimeve të vendosura nga Izraeli dhe sulmeve ose vjedhjeve të herëpashershme. Policia, e udhëhequr nga Hamasi, i shoqëronte autokolonat e ndihmave dhe vepronte kundër grabitësve të dyshuar dhe tregtarëve që i rishisnin ndihmat.
Gjatë një armëpushimi më herët këtë vit, Izraeli i lejoi deri në 600 kamionë ndihma të hynin çdo ditë. Shpërndarjet e ndihmave funksiononin pa ndërprerje të mëdha dhe çmimet e ushqimeve ishin shumë më të ulëta.
OKB-ja deklaroi se kishte mekanizma për ta parandaluar devijimin e organizuar të ndihmave. Por Izraeli pretendon se Hamasi po i përvetësonte ndihmat, ndonëse nuk ka ofruar prova për vjedhje në shkallë të gjerë.
Kjo ndryshoi në mars, kur Izraeli e përfundoi armëpushimin dhe i ndaloi të gjitha importet, përfshirë ushqimin. Izraeli pushtoi zona të mëdha të Gazës, duke thënë se ishte një mënyrë për të ushtruar presion mbi Hamasin që t’i lirojë pengjet e rrëmbyera në sulmin e 7 tetorit 2023, i cili e ndezi luftën.
Me largimin e policisë së Hamasit nga zonat e kontrolluara nga Izraeli, sipas banorëve, kontrollin e morën fise lokale dhe banda — disa prej të cilave Izraeli thotë se i mbështet.
Në maj, Izraeli filloi të lejonte një sasi të vogël ndihmash të hynin. Në të njëjtin muaj u krijua organizata GHF (Fondi Humanitar i Gazës) me qëllimin e shpallur për të parandaluar që Hamasi t’i përvetësojë ndihmat.
Që atëherë, Izraeli i ka lejuar mesatarisht rreth 70 kamionë në ditë, krahasuar me 500-600 që OKB-ja thotë se janë të nevojshëm. Ushtria izraelite deklaroi të shtunën se do të lejojë më shumë kamionë të hyjnë — të dielën hynë 180 — dhe dërgesat ajrore ndërkombëtare kanë rifilluar, ndonëse organizatat humanitare thonë se ato janë kryesisht joefektive.
Ndërkohë, shpërndarja e ushqimit vazhdon të shoqërohet me kaos dhe dhunë, si pranë qendrave të GHF-së, ashtu edhe rreth kamionëve të OKB-së.
Edhe nëse Izraeli i pezullon operacionet ushtarake gjatë ditës, nuk është e qartë nëse situata e sigurisë do të përmirësohet ndjeshëm.
Si në rastin e OKB-së, ashtu edhe të GHF-së, është e mundur që anëtarë të Hamasit të ndodhen mes turmave.
Në përgjigje të pyetjeve nga agjencia Associated Press, GHF-ja e pranoi këtë mundësi, por tha se sistemi i saj e parandalon përvetësimin e organizuar të ndihmave.
“Shqetësimi kryesor që po e adresojmë nuk është nëse individë të caktuar arrijnë të marrin ushqim, por nëse Hamasi ka mundësi t’i kontrollojë sistematikisht ndihmat. Në qendrat e GHF-së kjo nuk është e mundur”, tha organizata.
Hamasi ka mohuar se po vjedh ndihmat. Nuk është e qartë nëse ka përfshirje në tregtinë e ndihmave, por luftëtarët e tij do të rrezikonin shumë, nëse do të vepronin të organizuar në zonat nën kontroll ushtarak izraelit, përmes të cilave kalojnë kamionët e OKB-së dhe ndodhen qendrat e GHF-së.
OKB-ja thotë se zgjidhja e vetme është armëpushimi
Zyrtarët e OKB-së i kanë bërë thirrje Izraelit ta heqë plotësisht bllokadën dhe ta lejojë hyrjen masive të ushqimit në Gazë. Kjo do ta ulte dëshirën për grabitje, duke siguruar mjaftueshëm ushqim për të gjithë dhe duke i ulur çmimet.
Një tjetër armëpushim do të përfshinte rritje të ndihmave dhe lirimin e pengjeve izraelite, por bisedimet janë bllokuar.
Hamasi e nisi luftën kur luftëtarët e tij e sulmuan Izraelin, duke i vrarë rreth 1,200 persona, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 251 pengje. Rreth 50 pengje ende mbahen në Gazë.
Ofensiva hakmarrëse e Izraelit i ka vrarë mbi 59.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila thotë se më shumë se gjysma e viktimave janë gra dhe fëmijë. Ministria nuk dallon civilët nga luftëtarët në shifrat e saj. Ajo është pjesë e qeverisë së udhëhequr nga Hamasi, por drejtohet nga profesionistë mjekësorë. Izraeli i ka kundërshtuar këto shifra, por nuk i ka dhënë të dhënat e veta.