Botë

Autoritetet suedeze ashpërsojnë kontrollet kufitare pas rasteve të djegies së Kuranit

Suedia ende nuk ka një ligj që e ndalon në mënyrë specifike djegien apo përdhosjen e Kuranit ose të ndonjë libri tjetër të shenjtë fetar. E drejta për të demonstruar publikisht vlerësohet dhe mbrohet nga kushtetuta suedeze. Policia në përgjithësi jep leje për mbajtjen e demonstratave të këtilla, mbështetur në vlerësimin paraprak se një tubim publik i çfarëdo lloji nuk përbën rrezik për sigurinë e vendit dhe të banorëve

Qeveria suedeze ka njoftuar për shtrëngimin e masave të sigurisë dhe të kontrolleve kufitare, pas incidenteve të lidhura me djegien dhe me dëmtimin e librit të shenjtë mysliman, Kuran, gjatë protestave të zhvilluara në këtë shtet Suedi dhe në Danimarkë. Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, ka bërë të ditur se masa e synon parandalimin e depërtimit të personave “lidhje shumë të dobëta” me vendin skandinav në territorin e shtetit si dhe që të kryejnë veprime që i cenojnë interesat kombëtare suedeze.

“Masat kanë për qëllim të parandalojnë njerëzit me “lidhje shumë të dobëta me Suedinë” që të vijnë në vend për të kryer krime ose për të vepruar në konflikt me interesat e sigurisë suedeze”, ka thënë kryeministri suedez, në një konferencë shtypi në Stokholm të martën. Javën e kaluar, shërbimi i sigurisë së brendshme të Suedisë paralajmëroi se situata e sigurisë është përkeqësuar pas djegieve të fundit të Kuranit në vend dhe protestave në botën myslimane, duke ndikuar negativisht në imazhin e kombit nordik.

“Unë mendoj se është një situatë serioze ku interesat kombëtare suedeze po kërcënohen”, ka thënë Kristersson, duke shtuar se ai mbetet në kontakt të ngushtë me homologen daneze, Mette Frederiksen, për këtë çështje “për të mbrojtur vlerat e Danimarkës dhe Suedisë”.

Veprimet publike të përdhosjes së Kuranit nga një pjesë e vogël e aktivistëve anti-islamikë në Suedi si dhe në Danimarkën fqinje kanë nxitur së fundmi protesta dhe zemërim në vendet myslimane. Suedia ende nuk ka një ligj që e ndalon në mënyrë specifike djegien apo përdhosjen e Kuranit ose të ndonjë libri tjetër të shenjtë fetar. E drejta për të demonstruar publikisht vlerësohet dhe mbrohet nga kushtetuta suedeze. Policia në përgjithësi jep leje për mbajtjen e demonstratave të këtilla, mbështetur në vlerësimin paraprak se një tubim publik i çfarëdo lloji nuk përbën rrezik për sigurinë e vendit dhe të banorëve.