Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Danimarka e Suedia shqyrtojnë mundësinë për ndalimin e djegies së Kuranit

Qeveria daneze ka njoftuar se do të shqyrtojë mjete ligjore për të ndaluar protestat që përfshijnë djegien e librave të shenjtë në rrethana të caktuara. Qeveria përmendi shqetësimet e sigurisë pas reagimit ndaj incidenteve të ngjashme të përdhosjes së Kuranit në Danimarkë dhe Suedi.

Qeveria njoftoi se dëshiron të “hetojë” mundësinë e ndërhyrjes në situata ku “fyhen vendet, kulturat dhe fetë e tjera”, thuhet në një njoftim për shtyp nga Ministria e Punëve të Jashtme.

“Sigurisht, kjo duhet të bëhet brenda kornizës së lirisë së fjalës të mbrojtur me kushtetutë dhe në një mënyrë që të mos ndryshojë faktin se liria e fjalës ka një shtrirje shumë të gjerë në Danimarkë”, shtoi zyra, duke theksuar se është një nga vlerat më të rëndësishme të vendit.

Disa protesta të fundit që përfshijnë djegien e Kuranit kanë ndezur tensione diplomatike në të gjithë Lindjen e Mesme dhe në të dy vendet nordike. Disa vende të Lindjes së Mesme tërhoqën ambasadorët nga Suedia e Danimarka pas incidenteve. Në Bagdad protestuesit hynë në ambasadën suedeze.

Qeveria daneze vuri në dukje se protestat “kanë arritur një nivel ku Danimarka shihet në shumë pjesë të botës si një vend që lejon fyerje dhe denigrim të kulturave, feve dhe traditave të vendeve të tjera”. Sipas qeverisë daneze, qëllimi kryesor i djegies së Kuranit në Danimarkë ishte “provokimi”, i cili mund të ketë pasoja të rënda.

Kryeministri suedez Ulf Kristersson ka thënë në një deklaratë se ai është në kontakt të ngushtë me kryeministrin danez Frederiksen. Ai shtoi se qeveria suedeze po shqyrton gjithashtu hapa të mundshëm.

Edhe Autoritetet suedeze ashpërsojnë kontrollet kufitare pas rasteve të djegies së Kuranit Botë Autoritetet suedeze ashpërsojnë kontrollet kufitare pas rasteve të djegies së Kuranit

“Ne gjithashtu kemi filluar tashmë të analizojmë situatën ligjore për të shqyrtuar masat për të forcuar sigurinë tonë kombëtare dhe sigurinë e suedezëve në Suedi dhe në botë”, ka shkruar Kristersson në një postim në Instagram.

Qeveria suedeze urdhëroi të enjten 15 agjenci qeveritare, duke përfshirë forcat e armatosura dhe disa agjenci të zbatimit të ligjit, për të forcuar aftësinë e vendit për të parandaluar terrorizmin në përgjigje të përkeqësimit të situatës së sigurisë. Njoftimi erdhi një ditë pasi qeveria ka thënë se vendi ishte shënjestruar nga një fushatë dezinformimi e “shtyrë” nga Rusia për të treguar mbështetjen e Stokholmit për djegien e Kuranit.