Botë

Autoritetet siriane lavdërojnë vendimin e Trumpit për heqjen e sanksioneve

siria

Autoritetet siriane e kanë lavdëruar të shtunën vendimin e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për heqjen e sanksioneve, teksa Washingtoni zyrtar synon të hap një kapitull të ri në marrëdhëniet me Damaskun, transmeton The Guardian.

“Republika Arabe e Sirisë e mirëpret vendimin e Qeverisë amerikane për heqjen e sanksioneve të vendosura ndaj Sirisë dhe popullit të saj për shumë vite”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të vendit.

Mes tjerash, vendimi është përshkruar po ashtu si “një hap pozitiv në drejtimin e duhur për të zvogëluar vështirësitë humanitare dhe ekonomike në vend”.

Presidenti amerikan i kapi në befasi të gjithë me ndryshimin e qasjes diplomatike gjatë turneut të tij në Gjirin Persik këtë muaj, gjatë të cilit shtrëngoi duart me presidentin e përkohshëm të Sirisë, Ahmed al-Sharaa.

Trumpi pati thënë se dëshiron t’i jap një “mundësi për madhështi” liderëve të rinj të vendit të dërrmuar nga lufta civile, pas angazhimit të tyre për të rrëzuar regjimin e Bashar al-Assadit në dhjetorin e vitit të kaluar.