Një australian, familja e të cilit po argumenton se “po mbahet peng” në Irak, i ka kaluar tashmë 1000 ditë në burg, ka raportuar BBC-ja të martën.
Robert Pether është burgosur në vitin 2021 me akuzën për mashtrim, mirëpo Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) e ka përshkruar atë si ndalim arbitrar. Familja e tij ka thënë se Petherit i është përkeqësuar shëndeti, derisa avokati u ka bërë thirrje autoriteteve irakiane ta lirojnë urgjentisht atë.
Bashkëshortja e tij, Desree Pether, tha se është e shqetësuar që ai të vdesë në burg, derisa ka bërë të ditur se ai ka humbur një të tretën e peshës.
“Nuk ka dritë në fund të tunelit dhe kaq shumë momente na janë vjedhur. Nala (vajza 11-vjeçare e tyre) i ka shkruar babadimrit duke i kërkuar Irakut t’ia lirojë babanë. Unë i thashë asaj që babadimri nuk mund të përfshihet në çështje politike”, është shprehur ajo.
Pether, me profesion inxhinier mekanik, kishte shkruar në Irak për të rindërtuar selinë e Bankës Qendrore në Bagdad. Por, pas një mosmarrëveshjeje mes bankës dhe punëdhënësit të tij, Pether dhe një koleg i tij ishin arrestuar, të akuzuar për vjedhje të parave nga projekti.
Edhe
Inskenoi kidnapimin për ta tradhëtuar partneren, gjykata dënon australianin
Pether dhe kolegu i tij janë dënuar me pesë vjet burgim dhe me një gjobë prej 12 milionë dollarësh. Ata iu nënshtruan një gjyqi të shpejtë, ndërsa OKB-ja ka thënë se ishin marrë në pyetje nga autoritetet irakiane “në mënyrë abuzive dhe shtrënguese”.
Qeveria e Irakut i kishte mohuar akuzat për keqtrajtim, por tashmë është iniciuar një hetim nga raportuesi special i OKB-së.