Një australian është detyruar ta kompensojë policinë pasi që kishte mashtruar për kidnapim, raporton BBC.
Paul Iera, nga New South Wales, kishte dalë me këtë ide mashtrimi pasi donte të kalonte natën e Vitit të Ri me një grua tjetër në vend se ta kalonte me partneren e tij.
Gjykata e detyroi 35-vjeçarin t’i paguajë Policisë mbi 10 mijë dollarë, për hetimet që ka kryer.
Më 31 dhjetor të vitit 2022, Iera i kishte dërguar një mesazh partneres duke u shtirur se është një nga kidnapuesit e tij. Në tekst kishte thënë se “do ta mbajmë deri në mëngjes”.
Partnerja e tij e kontaktoi policinë e cila e gjeti Ieran në furgonin e tij në mëngjesin tjetër.
Policët kanë kryer më tepër se 200 orë hetime, është pretenduar, që total janë 16 mijë e 218 dollarë të shpenzuara, duke llogaritur pagat e orët shtesë.
Iera fillimisht kishte thënë se është kidnapuar nga një grup i panjohur të personave nga Lindja e Mesme dhe më pas u lirua.
Ai u arrestua në janar dhe u akuzua për mashtrim me qëllim që të shtyjë një person tjetër në hetim.
Iera i shpëtoi burgut, por është dënuar me 350 orë shërbim komuniteti, si dhe ta kompensojë policinë.