Armëpushimi në Iran është nën rrezik. Presidenti amerikan Donald Trump ka refuzuar të thotë nëse armëpushimi mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit është në fuqi, pasi të dyja shtetet përshkallëzuan sulmet në Ngushticën e Hormuzit.
Emiratet e Bashkuara Arabe, aleat i SHBA-së, kanë bërë të ditur se kanë parandaluar 19 raketa nga Irani dhe dronë. Një prej dronëve ka depërtuar mbrojtjen dhe ka shkaktuar zjarr të madh në një port nafte.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNdërkaq, Trumpi ka kërcënuar Iranin se “do ta zhdukë nga faqja e dheut” nëse tenton t’i qëllojë anijet amerikane në ngushticë ose në Gjirin Persik.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se SHBA-ja ka goditur shtatë “anije të shpejta” iraniane në Hormuz.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka thënë se këto zhvillime “e bëjnë të qartë se nuk ka zgjidhje ushtarake për një krizë politike”.
Pas sulmeve në 24 orët e fundit menjëherë çmimet e derivateve kanë kërcyer për shkak të shqetësimeve lidhur me ngushticën kritike të naftës.
Dy vendet arritën marrëveshje për armëpushim më 8 prill, por bisedimet kanë vazhduar për të arritur një marrëveshje për paqe të përhershme. Deri tash kjo nuk ka rezultuar me sukses.
Irani mohon se ka sulmuar Emiratet e Bashkuara Arabe
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) mohon përfshirjen në sulmet e raportuara nga Emiratet e Bashkuara Arabe, sipas agjencisë shtetërore të medias IRIB.
Në një deklaratë, agjencia e lajmeve citon një zëdhënës të IRGC-së të ketë thënë: "Forcat e armatosura të Republikës Islamike të Iranit nuk kanë kryer asnjë operacion me raketa ose dronë kundër Emirateve të Bashkuara Arabe në ditët e fundit”.
Ai ka shtuar se Irani do të kishte marrë përgjegjësinë për secilin nga sulmet e tij dhe se hakmarrja nga Emiratet e Bashkuara Arabe do të përballej me një "përgjigje shkatërruese”.
Kjo vjen pasi ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe, ka thënë të martën se po punonte për të kapur raketa dhe dronë nga Irani.
Vendi gjithashtu ka raportuar se ka kapur 15 raketa iraniane dhe katër dronë të hënën.
Irani thotë se nuk është përgjegjës për këtë ose ndonjë sulm tjetër në ditët e fundit.
SHBA-ja po bën marrëveshje të jashtëzakonshme për hapjen e Hormuzit, thotë Trumpi
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-ja është duke bërë “marrëveshje të jashtëzakonshme” për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, me Korenë e Jugut dhe Japoninë.
Ai po ashtu ka deklaruar se pret një bisedë pozitive me presidentin kinez, Xi Jinping, kur të vizitojë Kinën javën e ardhshme.
Trumpi ka përsëritur se bllokada e SHBA-së po funksionon shumë mirë dhe se Irani "dëshiron të bëjë një marrëveshje".
"Ata luajnë lojëra, por më lejoni t'ju them, ata duan të bëjnë një marrëveshje", ka deklaruar Trumpi.
Trumpi ka njoftuar të dielën se SHBA-ja do të niste nxjerrjen e anijeve dhe detarëve të bllokur në Hormuz, që kur ka nisur lufta SHBA-Izrael kundër Iranit, më 28 shkurt.
Sipas një agjencie detare të OKB-së, janë 2,000 anije me rreth 20,000 detarë që kanë mbetur të bllokuar në këtë ngushticë.
Trump: Irani nuk ka asnjë shans, kurrë nuk ka pasur
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Irani nuk ka asnjë shans dhe se kurrë nuk e ka pasur.
Duke folur gjatë një ngjarjeje në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi ka ripërsëritur se Irani nuk mund të lejohet të ketë armë bërthamore.
"Irani nuk ka asnjë shans. Kurrë nuk ka pasur. Ata e dinë këtë”, ka deklaruar presidenti amerikan.
"Nuk mund ta lejojmë Iranin të ketë një armë bërthamore”, ka shtuar ai.
Trumpi po ashtu ka thënë se nëse SHBA-ja nuk do të ishte përfshirë në konflikt "do të kishim pasur një Iran me armë bërthamore".
"Ndoshta nuk do të ishim të gjithë këtu tani", ka shtuar ai.
Presidenti ka deklaruar po ashtu se SHBA-ja “e ka mundur keq (Iranin)”, duke shtuar se Irani është “reduktuar në anije të vogla me një mitraloz në ballë”.
OKB-ja, SHBA-ja dhe BE-ja vendosën sanksione të gjera ekonomike ndaj Iranit që nga viti 2010, për shkak të dyshimeve se programi i tij bërthamor po përdorej për të zhvilluar një bombë. Irani thotë se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime civile.
Hegseth: Iranit s’mund t'i lejohet të bllokojë Ngushticën e Hormuzit
Shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, ka deklaruar të martën se SHBA-ja "nuk kërkon luftë", por ka shtuar se Iranit "nuk mund t'i lejohet të bllokojë vendet e pafajshme dhe mallrat e tyre nga një rrugë ujore ndërkombëtare", duke iu referuar Ngushticës së Hormuzit.
Në një konferencë për media lidhur me zhvillimet në ngushticë, Hegseth ka thënë se "Projekti Liri" është i ndryshëm nga operacioni “Epik Fury”, i cili u nis nga SHBA-ja më 28 shkurt.
“Misioni ‘Projektit Liri’ është të "mbrojë anijet tregtare të pafajshme nga agresioni iranian", ka deklaruar Hegseth.
Sipas tij, projekti është "i përkohshëm në kohëzgjatje".
Ai po ashtu ka thënë se armëpushimi nuk ka marrë fund.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar të dielën se SHBA-ja do të nisë operacionin e nxjerrjes së anijeve të bllokuara në Ngushticën e Hormuzit që kur ka nisur lufta kundër Iranit.
Sipas Trumpit, këtyre anijeve dhe detarëve në to janë duke u mbaruar furnizimet me ushqime dhe me produkte të tjera të nevojshme.
Sipas një agjencie detare të OKB-së, janë 2,000 anije me rreth 20,000 detarë që kanë mbetur të bllokuar në Hormuz që nga 28 shkurti.
Trumpi kërcënon Iranin me “zhdukje nga faqja e dheut”
Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar Iranin se “do ta zhdukë nga faqja e dheut” nëse i sulmon anijet amerikane.
SHBA-ja ka nisur të hënën operacionin për të ndihmuar qindra anije të ngujuara në Gji. Situata ka përshkallëzuar.
Teherani në anën tjetër është zotuar për të mbajtur të bllokuar Ngushticën e Hormuzit, që është rrugë kyçe për tregtinë botërore. Ndërkaq ushtria amerikane ka deklaruar se i ka shkatërruar gjashtë anije të vogla iraniane dhe ka penguar raketa e dronë nga Irani. Kjo u mohua nga Irani.
Më shumë se 800 anije dhe rreth 20 mijë pjesëtarë të ekuipazheve janë ngujuar në rajon.
Në një intervistë për “Fox News” të hënën, Trumpi i ka përshkruar përpjekjet e marinës amerikane si “një nga manovrat më të mrekullueshme ushtarake në histori” dhe ka pretenduar se negociatorët iranianë kanë qenë më jostabilë në bisedimet e fundit.
“I kemi pajisjet më të mira. Kemi staf gjithandej botës. I kemi tërë këto baza nëpër botë. Janë plot me pajisje. Mund t’i përdorim të gjitha, dhe do ta bëjmë, nëse na duhet”, ka shtuar ai.
Kërcënimet e Trumpit ndaj Iranit s’janë të reja. Në prill ai pati paralajmëruar për “vdekjen e një civilizimi të tërë” nëse Teherani nuk dëgjonte kërkesat e tij.