Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Antarktiku buzë katastrofës klimatike

Djegia e mbetjeve të lëndëve djegëse kërcënon një nga zonat e fundit të Tokës që ende nuk është prekur nga industritë nxjerrëse

Kur “Traktati i Antarktikut” hyri në fuqi gjashtë dekada më parë, nënshkruesit e tij nuk e kishin as më të voglën ide se sa i suksesshëm do të ishte.

Liderët botërorë asokohe u dakorduan që ta linin larg luftërave, armëve dhe mbetjeve bërthamore këtë kontinent të pabanuar që ngërthen dyfishin e territorit të Australisë. U pajtuan po ashtu që rajoni jugor polar, i përbërë 98 për qind nga akuj dhe pa popullsi autoktone, të mos i përkasë asnjë shteti por krejt e kundërta, t’i shërbejë bashkëpunimit shkencor.

dekadat pasuese, sipas raportimit të Deutsche Welles, u vendosën rregulla shtesë kundër kompanive minerale dhe atyre të shpimit për naftë, duke e kthyer Antarktikun në rezervatin më të madh natyror në botë.

Porse tani ndryshimet klimatike po e minojnë këtë histori suksesi.

Rreziku nga temperaturat e larta

Edhe Gjithnjë e më nxehtë – klima e re e Evropës Botë 2 j. më parë Gjithnjë e më nxehtë – klima e re e Evropës

Rreth 90 për qind e burimit të ujit të freskët sipërfaqësor të botës ndodhet në “Mburojën e Akullit të Antarktikut” dhe derisa planeti “vlon” nga rritja e temperaturave globale, akullnajat, zhbërja e së cilave do të përmbyste qytetet bregdetare nga New Yorku deri në Xhakartë, po shkrihen hovshëm dhe po bëhen përherë e më të paqëndrueshme, ka shkruar Deutsche Welle.

Liderët botërorë janë zotuar që ta kufizojnë ngrohjen globale në më pak se 2 gradë celsius gjatë këtij shekull, por politikat e tyre faktikisht do ta ngrohin botën për gati 3 gradë celsius, ka treguar studimi i grupit kërkimor “Climate Action Tracker”, me seli në Gjermani.

Studim i botuar në revistën shkencore “Nature” gjatë këtij maji ka zbuluar se një rritje globale e temperaturave prej 3 gradësh celsius do të shpinte drejt një “kapërcimi të menjëhershëm” në ritmin e përhumbjes së akullit në Antarktik. Kjo gjë, nga ana tjetër, do të shkaktonte rritje të shpejtë dhe të pandalshme të nivelit të detit, ka raportuar agjencia gjermane.

Një studim i dytë, i botuar në revistën “Science Advances” në qershor, ka treguar se një masë e madhe akulli që mbështetet tek akullnaja Pine Island (me madhësi prej 175.000 kilometrash katrorë) po shndërrohet në ujë përherë e më shpejt. Kjo akullnajë, sipas raportimit të DW-së, është përgjegjëse për më shumë se një të katërtën e kontributit të Antarktikut në rritjen globale të nivelit të detit dhe do të shkrijë më shpejt po qe se bie në kontakt me ujëra të ngrohta.

Ruajtja e paqes

“Traktati i Antarktikut” u nënshkrua më 1959 nga 12 shtete, shkencëtarët e të cilëve kanë qenë aktivë në rajon. Dy vjet pas ai hyri në fuqi. Palët u dakorduan që Antarktiku të ishte “një rezervat natyror, dedikuar paqes dhe shkencës”.

“Për superfuqitë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ish-Bashkimin Sovjetik të asaj kohe – të cilat do të vijonin konfliktet e armatosura mes tyre pa pjesëmarrje direkte në to në mbarë Azinë, Afrikën dhe Amerikën e Jugut gjatë tri dekadave vijuese – Antarktiku u bë një vend bashkëpunimi që ofroi një ‘armëpushim të rrallë’ pas tensioneve bërthamore të Luftës së Ftohtë”, ka shkruar DW-ja.

“Në rrafshe të tjera diplomatike përfaqësuesit e këtyre vendeve do të rrihnin gjoksin dhe do të bërtisnin”, ka thënë Sridhar Anandakrishnan, glaciolog në Universitetin Shtetëror të Pennit në SHBA. Por në takimet e Traktatit të Antarktikut “ata mund të flisnin zyrtarisht dhe hapur”, ka shtuar ai për Deutsche Welle.

Edhe “Pika e ftohtë” misterioze në oqean – studimi thotë se është shenjë e keqe Kuriozitet 1 muaj më parë “Pika e ftohtë” misterioze në oqean – studimi thotë se është shenjë e keqe

Miniera, shpime dhe peshkim

Rajonet polare të Tokës po ngrohen më shpejt sesa pjesa tjetër e planetit. Por për dallim prej Polit të Veriut, i cili është shndërruar në fokusin e tensioneve gjeopolitike pasi shkrirja e akullit zbulon burime të pasura, Poli i Jugut ka pak minerale ose lëndë djegëse të njohura për shfrytëzim, pos disa rezervave të qymyrit dhe naftës. Kjo e ka ndihmuar atë që të mbrohet nga vëmendja e industrive nxjerrëse.

“Antarktiku është ende mjaft i madh dhe i ngjashëm me zonat gjeologjike aty pranë, duke pasur mundësinë për më shumë burime. Bashkë me peizazhin aspak mikpritës - me akull të trashë dhe mot të ashpër, që e bën të kushtueshme çdo tentativë nxjerrjeje e shpimi, - Traktati e ka mbajtur Antarktikun të lirë nga çdo gjë tjetër, përveç eksplorimit shkencor. Ndalimi është i pacaktuar në kohë dhe data më e afërt e rishikimit të vendimit është viti 2048”, ka shkruar agjencia gjermane.

Por panorama e ujërave rreth saj nuk është kaq pozitive.

Ujëra të pambrojtura dhe turizmi

“Ndryshimi i klimës po e transformon në mënyrë të ndjeshme pamjen në Antarktik”, thotë Laura Meller, ekologe dhe eksperte polare në “Greenpeace Nordic”, një organizatë kjo që bën fushatë për mbrojtjen e rajonit nga minierat dhe shpimet.

Por pavarësisht të gjithave, Antarktiku pret rreth 70.000 turistë çdo vit, kryesisht në verë. Shifra mund të duket e ulët në krahasim me madhësinë e kontinentit, por ata që e vizitojnë atë shkojnë kryesisht në të njëjtat vende, gjë kjo që e përqendron ndikimin e tyre.

Edhe “El Nino” - Nis zyrtarisht fenomeni klimatik që pritet të sjellë temperatura ekstreme Botë 1 muaj më parë “El Nino” - Nis zyrtarisht fenomeni klimatik që pritet të sjellë temperatura ekstreme

Porse mbeturinat në Antarktik nuk zhduken: Rajoni është aq i ftohtë dhe i thatë sa nuk ka gjasa që mbeturinat të shpërbëhen ose të zhvendosen, derisa një akullnajë të shkrihet përfundimisht dhe t'i çojë ato në oqeane, ka shkruar DW-ja.

“Shkencëtarët tashmë janë duke menduar për të gjetur një mënyrë ndryshe se si t’i trajtojnë mbeturinat”, thotë glaciologu Anandakrishnan. “Është mirë që të gjithë të pyetemi: A dua ta hedh vërtet këtu këtë paketim ëmbëlsirash që pas 10 vjetësh të mund të mbys një luan deti?”.