Botë

Lufta për kontrollin e Arktikut -  më e rrezikshme se kurrë më parë

arktiku

Teksa akulli në Arktik shkrihet, një garë e re për ndikim po merr hov midis SHBA-së, Rusisë dhe Kinës. Rajoni, dikur i heshtur, po kthehet në një arenë strategjike ku përzihen interesa ushtarake, ekonomike dhe gjeopolitike. Fuqitë e mëdha po vendosin baza, patrullojnë me anije dhe mbledhin inteligjencë. Në veri të largët, tensionet po rriten me shpejtësi të rrezikshme.

Tensionet po rriten në pjesën më të lartë të hartës së botës.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur dëshirën për të marrë kontrollin e Grenlandës, Rusia po modernizon bazat e saj ushtarake në Arktik dhe Kina po hap rrugë të reja me anije akullthyese.

Spiunë janë zbuluar dhe situata po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar.

Teksa beteja për një nga vendet më të ftohta të planetit po intensifikohet, balanca e sigurisë po bëhet gjithnjë e më e brishtë. Kjo mund të çojë në një garë të re armatimesh.

Trump ka thënë disa herë se SHBA-ja ka nevojë për Grenlandën për arsye sigurie.

“S’ka rëndësi sa pak njerëz jetojnë atje – vendndodhja është ajo që ka rëndësi”, ka deklaruar ai.

Gjatë Luftës së Ftohtë mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, armët bërthamore ishin mjeti kryesor i kërcënimit. Rruga më e shkurtër për të goditur armikun ishte përmes Polit të Veriut.

Në atë kohë, SHBA-ja vendosi një bazë të rëndësishme në veri të largët të Grenlandës, në vendin e quajtur Thule – tani i njohur si Pituffik Space Base.

Aty ndodhet një radar gjigant që skanon qiellin dhe hapësirën për çdo kërcënim që vjen nga Poli i Veriut.

Kur dikush i afrohet bazës, makina fillon të bëjë zhurma dhe pajisjet e brendshme të makinës çrregullohen për shkak të valëve të radarit.

Oficerët amerikanë në bazë i kanë shpjeguar ekipit të BBC-së më 2008 se radari mund të zbulojë objekte aq të vogla sa një top tenisi që lëvizin në hapësirë.

Edhe pse Lufta e Ftohtë ka mbaruar, kjo bazë mbetet shumë e rëndësishme. Ajo është pjesë e sistemit amerikan për paralajmërimin e hershëm ndaj raketave – i quajtur BMEWS.

Trump ka folur për ndërtimin e një “Kupole të Artë” për të mbrojtur SHBA-në, duke iu referuar sistemit “Kupola e Hekurt” që mbron Izraelin nga raketat. Për këtë sistem mbrojtës, bazat si ajo në Grenlandë janë të domosdoshme.

Sipas ekspertes së mbrojtjes Elizabeth Buchanan, Grenlanda është si një siguracion fizik për SHBA-në. Është vend shumë strategjik.

Kjo ide shqetëson Rusinë, e cila frikësohet se mbrojtja raketore amerikane mund të dobësojë fuqinë e saj për kundërpërgjigje në rast lufte.

Por kjo sjellje e SHBA-së po zemëron edhe aleatët.

Grenlanda është pjesë e Danimarkës, dhe shumë njerëz janë mërzitur nga qëndrimi agresiv i Washingtonit.

Edhe në Kanada pati reagime të forta ndaj sugjerimeve se Grenlanda mund të bëhej shteti i 51-të i SHBA-së – një ide që kryeministri i atëhershëm, Justin Trudeau, e hodhi poshtë.

Më e mundshme është që SHBA-ja të përpiqet të ketë më shumë kontroll ushtarak mbi Grenlandën sesa ta blejë atë.

Kjo po shkakton shqetësim mes vendeve evropiane, që nuk e dinë si do të veprojë NATO nëse SHBA-ja – anëtari më i fuqishëm – kërkon tokë nga një tjetër anëtar, si Danimarka.

“Potencial për përshkallëzim” mbi dete

Rusia është lojtarja më e rëndësishme në rajon. Një e pesta e territorit i ndodhet në Arktik dhe zotëron më shumë se gjysmën e vijës bregdetare të këtij rajoni.

Është vendi për të cilin të tjerët shqetësohen më shumë kur bëhet fjalë për militarizimin e Arktikut, por gjithashtu edhe vendi që ka më shumë për të humbur nëse ndodh një zhvillim i tillë.

Teksa fuqitë perëndimore janë tërhequr nga rajoni për shumë vjet, Rusia ka investuar vazhdimisht për ta forcuar praninë, duke përmirësuar baza ajrore si ajo në Nagurskoye – një bazë që është në funksion që nga Lufta e Ftohtë.

Për më tepër, gadishulli i Kolës është vendi ku ndodhet pjesa më e madhe e flotës bërthamore nëndetare të Rusisë. Nëndetëset ruse nisen nga këto baza për të qëndruar nën akujt e Arktikut, të gatshme për të ndërmarrë sulme nëse jepet urdhri. Moska e sheh rajonin si thelbësor për të penguar armiqtë dhe për të treguar forcë.

“Në Detin Baltik, Rusia ka më pak hapësirë për të vepruar ushtarakisht pasi Suedia dhe Finlanda iu bashkuan NATO-s, prandaj Flota Veriore bëhet edhe më e rëndësishme”, pati thënë në qershor zv.admirali Nils Andreas Stensones, shefi i Shërbimit të Inteligjencës së Norvegjisë. “Dhe tani ka mbështetje më të madhe në armët bërthamore si mjet pengues. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre armëve ndodhet pikërisht në Gadishullin e Kolës, në Arktik”.

Zv.admirali Stensones ka thënë se Rusia e konsideron si në interes të saj të mbajë tensione të ulëta, në mënyrë që të shmanget militarizimi i mëtejshëm i Arktikut – gjë që do ta detyronte ushtrinë ruse të shpërndante forcat, ndërkohë që ende është e përqendruar në luftën në Ukrainë.

Megjithatë, ndërtimi i kapaciteteve ushtarake nga Rusia, dëshira për të treguar forcë dhe akuzat ndaj vendeve perëndimore për militarizimin e rajonit, po shkaktojnë shqetësim. Ai ka paralajmëruar se “potenciali për përshkallëzim” është i vërtetë.

Norvegjia ka pasur më shumë fokus në uljen e tensioneve, por vende të tjera po japin alarmin. Raporti më i fundit i shërbimeve të inteligjencës daneze paralajmëron se Rusia do të “tregojë fuqinë e saj përmes sjelljeve agresive dhe kërcënuese, të cilat do të sjellin rrezik më të madh deri tash për përshkallëzim në Arktik”.

Tjetër zonë që duhet mbajtur në vëzhgim janë ishujt Svalbard. Sipas një traktati, Norvegjia i kontrollon, por vende të tjera – përfshirë Rusinë – kanë të drejtë të operojnë atje. Kjo i kthen ishujt në një pikë të mundshme tensioni, pasi Moska pretendon se po militarizohen për të përbërë kërcënim ndaj saj.

Mbretëria e Bashkuar nuk është zyrtarisht një fuqi arktike, por po e rrit angazhimin në rajon – pjesërisht për ta kundërshtuar Rusinë. Arsye historike për këtë është një zonë strategjike e quajtur “hendeku GIUK” – rrip i ngushtë ujor midis Grenlandës dhe Britanisë së Madhe, me Islandën në mes.

Për të arritur lehtësisht në Oqeanin Atlantik, Flota Veriore e Rusisë duhet të kalojë përmes këtij hendeku. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, rëndësia e kësaj zone ishte një nga arsyet pse SHBA-ja ngriti bazë ushtarake në Grenlandë për të luftuar nëndetëset naziste. Gjatë Luftës së Ftohtë dhe deri sot, ky vendkalim mbetet pikë kyç për zbulimin e nëndetëseve, dhe NATO vendos sensorë nënujore për t’i ndjekur.

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, vizitoi Arktikun në fund të majit dhe njoftoi nismën e përbashkët me Islandën për të përdorur teknologjinë e Inteligjencës Artificiale (AI) për të monitoruar “aktivitetet armiqësore” në rajon.

Kjo do të thotë të kërkohet për nëndetëse dhe anije ruse.

Megjithatë, edhe pse Britania po kërkon të ketë rol më të madh në rajon, një raport i fundit parlamentar shprehu shqetësim se vendi ka “mungesë të mjeteve ushtarake kyç, si nëndetëse, avionë patrullimi detarë apo avionë për paralajmërim të hershëm nga ajri”, për të mbështetur një përqendrim më të madh në Arktik.

Rishikimi strategjik i mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar premtoi të rrisë numrin e nëndetëseve, por disa ekspertë besojnë se mund të bëhet ende më shumë.

“Arktiku është rajon ku interesat e sigurisë së SHBA-së, Kanadasë dhe Evropës bashkohen gjithnjë e më shumë”, ka thënë Peter Watkins, ish-zyrtar i lartë në Ministrinë e Mbrojtjes së Britanisë. “Si fuqi kyç euroatlantike, Arktiku duhet të tërheqë më shumë vëmendje dhe burime nga Mbretëria e Bashkuar”.

Megjithatë, disa tituj të mediave lidhur me vizitën e David Lammyt, si “Plani i Britanisë për t’ia mohuar Rusisë kontrollin mbi Arktikun, mund ta zemërojnë Moskën.

Rusia mund të jetë duke forcuar praninë në rajon, por është jashtëzakonisht kundërshtuese ndaj përpjekjeve të vendeve të tjera për të bërë të njëjtën gjë – dhe do të përpiqet të ndalojë çdo zhvillim të tillë.

Sipas një raporti të fundit të inteligjencës daneze, “Rusia do të përpiqet të pengojë vendet e tjera që të kërcënojnë pozicionin e saj në Arktik, dhe është shumë e mundur që ajo të reagojë në mënyrë agresive ndaj aktiviteteve ushtarake perëndimore pranë Arktikut rus”.

Raporti gjithashtu paralajmëron se Rusia tani është e gatshme të ndërmarrë hapa më të rrezikshëm në Arktik dhe është më e vendosur dhe më konfrontuese.

Lufta për ndikim në “Rrugën Polare të Mëndafshit”

Në ujërat e Arktikut po shfaqet një sfidë e re për sigurinë, si pasojë e ndryshimeve klimatike. Rishikimi Strategjik i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar për këtë vit konstatoi se ka gjasa që Veriu i Largët të jetë pa akull çdo verë nga viti 2040. Por disa ekspertë besojnë se ky parashikim nënvlerëson shpejtësinë e ndryshimeve.

Afërsisht një e dhjeta e prodhimit ekonomik të Rusisë vjen nga shfrytëzimi i burimeve natyrore në Arktik, dhe shkrirja e akullnajave do ta bëjë edhe më të ndjeshme ndaj kërcënimeve, pasi Moska do të jetë e detyruar të mbrojë më shumë territor arktik nga ndërhyrjet e mundshme të vendeve të tjera – gjë që shton tendencën drejt militarizimit.

Këtu hyn në lojë edhe Kina.

Kina e ka përshkruar veten si shtet “afër Arktikut”, dhe pavarësisht distancës së madhe gjeografike dhe faktit që nuk ka asnjë vijë bregdetare në Arktik, ajo po bëhet gjithnjë e më aktive në rajon.

Një arsye është shkrirja e akullit, e cila hap mundësinë për rrugë të re tregtare në veri.

Për Kinën, “Rruga Polare e Mëndafshit” do të ofronte një mundësi lundrimi më të shpejtë dhe potencialisht më të sigurt sesa ajo përmes Kanalit të Suezit. Si rezultat, Kina ka nisur të projektojë fuqinë edhe në këtë pjesë të botës.

Nga ana tjetër, ka shkaktuar shqetësim në Washington, pasi rivaliteti global mes SHBA-së dhe Kinës po shtrihet edhe në Arktik – ku garojnë për ndikim e burime natyrore.

“Kina ka përdorur strategji hibride për të thelluar lidhjet me rajonin, që nga bashkëpunimi akademik, misionet shkencore, marrëveshjet mjedisore dhe të peshkimit, deri te partneritetet strategjike dypalëshe”, ka thënë dr. Elizabeth Buchanan. “Kjo ndihmon në normalizimin e pranisë së Kinës në zonën arktike dhe po e kthen Pekinin në partner të preferuar për vendet e rajonit”.

Kina ka zgjeruar me shpejtësi flotën e anijeve thyesakulli, ndërkohë që ka zhvilluar edhe patrullime të përbashkëta me Rusinë mbi Detin Bering, pranë brigjeve të Alaskës. Por, pavarësisht bashkëpunimit, Rusia është gjithashtu shumë e shqetësuar për ndikimin në rritje të Kinës në një rajon që e konsideron si sferën e saj të ndikimit.

Dokumente të fundit të publikuara nga “New York Times” dhe që besohet të kenë rrjedhur nga Shërbimi i Sigurisë së Rusisë (FSB), zbuluan shqetësimin e Moskës se spiunët kinezë po kryejnë veprimtari spiunazhi në Arktik, duke përdorur kompani minerare dhe projekte kërkimore akademike si mbulesë.

Arktiku ka qenë gjithmonë zonë e rëndësishme për mbledhjen e inteligjencës – kryesisht përmes mbikëqyrjes së komunikimeve nga baza të fshehta në rajon.

Por edhe forma të tjera spiunazhi janë në rritje.

Në vitin 2022, një spiun i dyshuar rus që vepronte si akademik brazilian, ekspert në çështjet e Arktikut, u arrestua në Norvegji. Ndërkohë, janë shtuar raportimet për dronë të dyshuar rusë në rajon.

Tjetër shqetësim është ndikimi i mundshëm i inteligjencës ruse në politikën lokale të komuniteteve përreth Arktikut, me synimin për të krijuar përçarje.

Por nuk janë vetëm spiunët rusë që shqetësojnë vendet evropiane.

Në muajt e fundit është raportuar se SHBA-ja ka shtuar përpjekjet për mbledhjen e informacionit në Grenlandë – aleat i NATO-s për shkak të lidhjes me Danimarkën.

Kjo mund të jetë bërë pjesërisht për të zbuluar nëse Rusia dhe Kina po përpiqen të zgjerojnë në mënyrë të fshehtë ndikimin e tyre në ishull.

Por këto raportime janë pritur me zemërim nga Danimarka.

Një diplomat amerikan në Kopenhagë u thirr në Ministrinë e Jashtme të Danimarkës.  

“Nuk mund të spiunosh kundër një aleati”, ka thënë kryeministrja daneze.

Për evropianët, shqetësimet për tensionet me Rusinë – si dhe për besueshmërinë e partnerit amerikan – po nxisin debat për mënyrën se si duhet të reagojnë.

“Kina, Rusia dhe SHBA janë tri fuqi globale që takohen në Arktik, dhe tani po shohim konkurrencë shumë të ashpër në këtë zonë”, ka thënë Niklas Granholm, zëvendësdrejtor i Agjencisë Suedeze për Kërkime të Mbrojtjes. “Të tjerët do të duhet të përshtaten dhe të ndikojnë sa të munden”.

Disa vende mund të preferojnë më shumë bashkëpunim ushtarak, ndërsa të tjera frikësohen se kjo do të rrisë më tej tensionet.

Motoja për shumë vjet ka qenë: “Veri i lartë, tension i ulët”.

Por kjo epokë po merr fund, për shkak të një kombinimi mes shkrirjes së akullit, pasigurisë dhe fuqive që po bëhen gjithnjë e më të vendosura.

Dhe ndonëse askush nuk ka interes të militarizojë rajonin – duket se pikërisht kjo është ajo që po ndodh.