Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një të miturit serb të dyshuar për kontrabandim me migrantë.
Ai dyshohet se ka marrë pesë shtetas kinezë nga Serbia dhe tentoi që t’i kalonte në Maqedoni të Veriut.
“Sipas kërkesës së parashtruar nga Prokuroria, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 21.10.2025 rreth orës 20:20, në fshatin Seqishtë, komuna Hani i Elezit, saktësisht te vendi i quajtur Parku memorial “Bllaca 99”, i mituri me qëllim të kontrabandimit me migrantë, ka organizuar-kontrabanduar kalimin e jashtëligjshëm të migrantëve, saktësisht pesë (5) persona me shtetësi kineze, duke kaluar vijën kufitare Kosovë-Maqedoni e Veriut, në atë mënyrë që, i mituri fillimisht ishte takuar dhe kishte komunikuar me personat në fjalë në shtetin e Republikës së Serbisë. Kishin bërë marrëveshje që për secilin person të marrë pagesë në vlerë prej 20,00 Euro, e më pas i merr personat në fjalë nga shteti i Serbisë hyjnë në shtetin e Kosovës, ku i mituri siguron një automjet, ku e drejton një person deri më tani i panjohur, dhe i fusin në veturë që të gjithë, e më pas të njëjtit i dërgon në drejtim të shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, saktësisht tek vija kufitare Kosovë-Maqedoni Veriore, ku aty nga njësiti patrullues kufitar janë vërejtur dhe kanë arritur të ndalojnë që të gjithë”, thuhet nga Prokuroria.
Të miturit iu caktua masa e ndalimit prej 24-orësh.
