Shtetet perëndimore njoftuan se do të vazhdojnë ta ndihmojnë Ukrainën me armatim, raportoi BBC-ja të mërkurën.
Ministria gjermane e Mbrojtjes premtoi se në javët në vijim do t'i dorëzojë Ukrainës obusët e rinj vetëlëvizës dhe raketahedhës MARS II.
Ministria dha këtë njoftim në takimin e liderëve të NATO-s në selinë e aleancës në Bruksel.
“Ne po e koordinojmë ndihmën tonë. Në javët e ardhshme, mjetet PzH2000 dhe MARS II do t'i dorëzohen Ukrainës”, njoftoi Ministria gjermane e Mbrojtjes.
Ky është takimi i gjashtë qëkur nisi pushtimi rus në Ukrainë, derisa temë kryesore e diskutimeve ishte mbrojtja ajrore për Ukrainës.
Edhe Holanda ka premtuar ndihmë për Ukrainën. Ministrja e Mbrojtjes, Kaisa Ollongren, deklaroi se do t’i ndajnë 15 milionë euro për sigurim të raketave kundërajrore për Ukrainën.
“Rezultati i vetëm që do të arrijë Putini është se ne do të furnizojmë edhe më shumë për shkak të këtyre sulmeve”, u shpreh Ollongren në takimin ministror të NATO-s në Bruksel.
As Gjermania e as Holanda nuk specifikuan se sa njësi të armëve do t'i dorëzohen Ukrainës.
Një pako e re ndihme ushtarake me vlerë 47 milionë dollarë u njoftua në selinë e NATO-s nga Kanadaja. Paketa do të përfshijë veshje dhe pajisje dimërore, predha artilerie dhe mjete komunikimi.
Dy ditë pasi Rusia kreu sulme mbi Kievin, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kërkoi që furnizimet me armatim të përshpejtohen.