Ushtria amerikane njoftoi të premten se kishte transportuar nga Siria drejt Jordanisë një amerikan, i cili ishte zhdukur shtatë muaj më parë në sistemin famëkeq të burgjeve të ish-presidentit Bashar Assad dhe ishte në mesin e mijëra vetëve që u liruan këtë javë nga rebelët.
Travis Timmerman, 29 vjeç, u dërgua në Jordani me një helikopter ushtarak, sipas dy zyrtarëve amerikanë që folën në kushte anonimiteti, e që nuk mund të jepnin detaje mbi operacion në vazhdim.
Është e paqartë se ku do të vendoset më pas Timmerman. Ai falënderoi ata që e shpëtuan, por u tha zyrtarëve amerikanë se do të donte të qëndronte në rajon, sipas një personi në dijeni të çështjes, i cili nuk ishte i autorizuar të komentonte publikisht.
Timmerman u arrestua pasi kaloi në Siri ndërsa ishte në një pelegrinazh të krishterë në një mal në qytetit libanez Zahle në qershor.
Në një intervistë të premten për agjencinë e lajmeve “Associated Press” ai tha se nuk ishte keqtrajtuar gjatë kohës që kishte qëndruar në institucionin famëkeq të paraburgimit që njihet si Dega e Palestinës, operuar nga inteligjenca siriane.
Timmerman tha se ai ishte liruar të hënën në mëngjes pasi rebelët morën kontrollin e Damaskut dhe rrëzuan nga pushteti Assadin, së bashku me një të ri sirian dhe 70 gra të burgosura, disa prej të cilave kishin me vete edhe fëmijë.
Edhe
Rrugëtimi 13-vjetësh në kërkim të gazetarit amerikan të rrëmbyer në Siri
Ai shtoi se ishte mbajtur i ndarë nga të burgosurit sirianë dhe të tjerë me origjinë arabe dhe tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë amerikani tjetër që mbahej i burgosur në të njëjtin objekt.
Ndërkohë, zyrtarët amerikanë po vazhdojnë kërkimet për gjetjen e Austin Tice, një gazetar amerikan i zhdukur 12 vjet më parë, pranë Damaskut./ Zëri i Amerikës