Ambasadori palestinez në OKB ka shpërthyer në lot të mërkurën teksa i është lutur Këshillit të Sigurimit të adresonte krizën e thelluar në Gaza.
"Unë kam nipër e mbesa. Unë e di se çfarë nënkuptojnë ata për familjet e tyre dhe të shohësh situatën e palestinezëve pa pasur zemër për të bërë diçka, është përtej aftësisë së çdo qenie njerëzore normale për të toleruar”, ka thënë Riyad Mansour, me zërin e tij që dridhej, teksa në një moment ka përplasur tryezën gjatë fjalimit të tij emocional.
Ai ka dënuar sulmet ndaj civilëve, qofshin palestinezë apo izraelitë, por ka denoncuar ato që ai i ka quajtur "standarde të dyfishta" në përgjigjet globale.
"Asgjë nuk mund të justifikojë sulmin ndaj civilëve... ne jemi qenie njerëzore. Ne jemi palestinezë krenarë. Ne duhet të trajtohemi tamam si gjithë të tjerët”, ka thënë ai.
Riyad Mansour, the Palestinian ambassador to the UN, delivered an emotional address to the Security Council, breaking down in tears as he described the ‘unbearable suffering' of Palestinian children amid the ongoing war in Gaza https://t.co/CLQrbA5gSP pic.twitter.com/82D09dqBlt
— Reuters (@Reuters) May 28, 2025
Mansour ka akuzuar komunitetin ndërkombëtar për injorimin e gjendjes së vështirë të palestinezëve.
“Nuk mund të shihni atë që dëshironi në pasqyrë dhe të injoroni elefantin e madh në dhomë, popullin palestinez”, është shprehur ai.
"Unë mund t'ju siguroj se ne jemi të rrënjosur në Palestinë më shumë se ullinjtë ... ne nuk do të thahemi. Ne do të qëndrojmë në atdheun tonë dhe do të arrijmë të drejtat tona të patjetërsueshme, shpresojmë sa më shpejt”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, i dërguari i Izraelit në OKB, Danny Danon, ia ka kujtuar Mansour fjalët e ish-kryeministres së Izraelit, Golda Meir, e cila ishte në detyrë pesë dekada më parë.
“Paqja do të vijë kur ju do t'i doni fëmijët tuaj më shumë se sa na urreni neve", ka thënë Danon, duke cituar Meir,
E Danon ka akuzuar agjencitë e OKB-së për bllokimin e dërgesave të ndihmave në Gazë, duke pretenduar se qindra kamionë të ngarkuar me furnizime janë bllokuar në pikat kufitare për shkak të dështimit të OKB-së për t'i shpërndarë ato.
"Ndërsa flasim, ka më shumë se 400 kamionë tashmë në anën tjetër të gardhit, në pritje për t'u shpërndarë, por OKB-ja nuk ka arritur t'i marrë ato”, u ka thënë ai gazetarëve përpara takimit të Këshillit të Sigurimit për Gazën.
"Ne hapëm vendkalimet. Ne siguruam rrugë të sigurta për ata kamionë. Por OKB-ja nuk u paraqit”, ka thënë Danon.
Rreth 600 kamionë kanë hyrë në enklavë çdo ditë gjatë një armëpushimi këtë vit, sipas OKB-së.