Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Alarme për sulme ajrore në Riad për herë të parë që nga përshkallëzimi i sulmeve nga Houthit

rrrr

Banorëve të Riadit, në Arabinë Saudite, u është dhënë sinjali se rreziku ka kaluar, pasi u lëshuan alarme për sulme ajrore dhe u raportuan shpërthime në kryeqytet, shkruan BBC.

Kjo ishte hera e parë që lëshoheshin alarme në Riad që kur Houthët shtuan sulmet e tyre dhe shpallën embargo detare ndaj sauditëve në muajin korrik.

Mbrojtja Civile Saudite lëshoi alarme për kryeqytetin dhe disa rajone të tjera vonë të premten në mbrëmje dhe të shtunën në mëngjes, ndërsa konflikti i Mbretërisë me Houthët e mbështetur nga Irani vazhdon të përshkallëzohet.

Gazetarë nga Reuters dhe AFP raportuan se dëgjuan shpërthime në kryeqytet, por autoritetet më pas deklaruan se rreziku kishte kaluar. Banorët u këshilluan të shmangnin grumbullimet në turma.

Houthët së fundmi morën nën kontroll qytetin portual të Mokhas dhe ishullin Perim, një rrugë e rëndësishme detare që shteti i Gjirit e përdor për eksporte drejt Azisë dhe Evropës.

Zëdhënësi ushtarak i grupit të mbështetur nga Irani tha se bllokada detare ishte një kundërpërgjigje ndaj bllokadës saudite të porteve dhe aeroporteve në Jemenin veriperëndimor, të kontrolluar nga Houthët.

Anijet saudite janë mbështetur te ajo pjesë e Detit të Kuq për eksportet e naftës, që kur lufta e SHBA-së dhe Izraelit me Iranin bëri që Ngushtica e Hormuzit praktikisht të mbyllej.

Javën e kaluar, Houthët sulmuan disa objekte saudite të naftës me dronë dhe raketa, duke shkaktuar zjarre që çuan në ndërprerjen e përkohshme të operacioneve.

Sulmet ndaj infrastrukturës saudite të naftës kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë dhe çmimi i benzinës e naftës është rritur ndjeshëm në shumë vende gjatë javëve të fundit, duke shtuar kostot tashmë të larta të shkaktuara nga bllokadat në Ngushticën e Hormuzit.

Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, sundimtari de facto i vendit, i ka kërkuar personalisht presidentit amerikan Donald Trump të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Houthëve, thanë dy burime të njohura me çështjen për CBS News.

Deri më tani, Trump ka refuzuar të përfshijë drejtpërdrejt ushtrinë amerikane, duke ofruar në vend të kësaj ndihmë me informacione të inteligjencës dhe mbështetje për identifikimin e objektivave, thanë burimet.