Botë

Alarm për mungesë uji të pijshëm në Mariupol

Mungesa e ujit të pijshëm në Mariupol tani është në një nivel kritik, ka thënë një këshilltar i kryebashkiakut.

Petro Andrushenko tha se njerëzit duhej të regjistroheshin për të marrë ujë të pijshëm dhe mund ta marrin atë vetëm çdo dy ditë.

Dëmi në Mariupol gjatë dy muajve të bombardimeve ishte aq i rëndë sa shumica e shërbimeve bazë, si energjia elektrike, gazi dhe uji me tubacione, nuk janë restauruar ende nga autoritetet lokale të mbështetura nga Rusia, shkruan CNN.

Andrushenko tha: “Sasia e ujit ishte e vogël më herët, por tani është ulur fare. Është e nevojshme që njerëzit të regjistroheshin me radhë. Në të ardhmen, temperatura do të rritet, niveli i ujit do të bjerë dhe sasia e ujit do të zvogëlohet”.

Andrushenko, i cili nuk është në Mariupol, pohoi se uji që ofrohet nga autoritetet okupuese është “ujë i pijshëm por i kushtëzuar. Pa u zier, ai nuk mund të konsumohet fare në jetën normale dhe nuk ka vend për ta zier. Në fakt njerëzit po e përdorin ashtu siç është. Ky është një kërcënim i dyfishtë”.

Andrushenko përsëriti paralajmërimet e tij për epidemitë për shkak të nivelit të lartë të mbeturinave dhe numrit të kufomave të varrosura në varre të cekëta në të gjithë qytetin.

“Është e vështirë të thuhet se nga çfarë lloj epidemie mund të kërcënohemi. Ne presim kolerën ose ndonjë epidemi virale që lidhet me traktin gastrointestinal. Si rezultat i kushteve josanitare, kjo mund të ndodhë. Gjëja më e keqe është se një gjë e tillë themelore si dizenteria në kushte aktuale dhe me sistemin mjekësor jofunksional, mungesën e barnave, mungesën e laboratorëve dhe gjithçkaje të nevojshme, edhe dizenteria mund të vrarë me dhjetëra mijëra”, ka thënë ai.

Deri më tani nuk ka pasur raporte të konfirmuara për dizenteri ose sëmundje të tjera epidemike në Mariupol.