Një lëvizje e ngjashme me #MeToo po përfshinë Ballkanin Perëndimor patriarkal.
Ka filluar në një llogari me histori tronditëse të përdhunimit dhe abuzimit në një shkollë të lartë aktrimi në Serbi. Kjo ka ngritur mijëra gra në shtetet fqinje që të ngrisin zërin – duke lënë anash ndarjet etnike që datojnë nga luftërat që shkatërruan Jugosllavinë në vitet 90.
Atje dominimi i burrave është pjesë e një tradite prej shekujsh dhe gratë rrallë herë kërkojnë drejtësi për ngacmime seksuale, prandaj kjo lëvizje shihet si hap i madh, shkruan AP.
“Gratë kanë filluar të flasin dhe ato do të jenë më të zëshme në të ardhmen”, ka thënë Sanja Pavlovic, aktiviste në Beograd. “Heshtja është thyer”, thotë ajo.
Aktorja serbe Milena Radulovic, tash 26 vjeç, kishte akuzuar në janar gjatë një interviste mësuesin e aktrimit Miroslav Aleksic se e kishte përdhunuar atë kur ishte vetëm 17 vjeç.
Edhe
Përdhunimet që e ndezën një #MeToo ndryshe në Serbi
Radulovic ka drejtuar një grup të aktoreve që shkuan në polici me akuzat e tyre. Më vonë, detaje nga ngjarja tragjike u zbuluan, duke bërë që 68 vjeçari Aleksic të arrestohej për sulm seksual, përfshirë edhe përdhunimin.
Në shtetet fqinje të Serbisë, Kroaci e Bosnjë, gratë kanë reaguar brenda orësh me sloganet #NisiSama, që do të thotë “ti nuk je vetëm”.
Gra nga këto shtete filluan të ndanin historitë e tyre të abuzimit, ndërsa faqja në internet “Nisam Trazila” e krijuar nga gratë, arriti në 40,000 ndjekës në pak kohë.
Më tej, në Slloveni një aktore e re kishte treguar se ishte abuzuar seksualisht për dy vjet nga profesori i saj. Një statistikë e studentëve tregoi se një në 10 studentë raportojnë ngacmime seksuale atje.
Edhe
Vrasjet brutale të grave në Ballkan ngrenë alarm për lëshimet në sistem
Në Maqedoninë e Veriut, një protestë kundër ngacmimit seksual në rrjetet sociale mblodhi qindra njerëz.
Pavlovic ka bërë thirrje që fokusimi të mos jetë vetëm në dhunën në familje, por edhe në ngacmimin seksual, ndërsa shprehet se gratë tash janë më të lirshme dhe se po flasin për këtë temë kudo.