(AP) – Një lëvizje e ngjashme me #MeToo ka mbërthyer Ballkanin Perëndimor thellësisht patriarkal, teksa aktivistët shpresojnë se nuk do të ketë më kthim prapa.
Gjithçka filloi me dëshminë drithëruese të përdhunimit të pretenduar dhe abuzimit në një shkollë moderne të aktrimit në Serbi. Ky ishte shtytësi që i nxiti me mijëra gra në shtetet fqinje që ta ngrenë zërin – duke i kapërcyer ndasitë e thella etnike që datojnë nga koha e luftërave që rezultuan me shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet ‘90.
Dhe në një pjesë të Evropës, ku dominimi i burrave është pjesë e traditës shumëshekullore dhe ku gratë rrallëherë kërkojnë drejtësi për keqtrajtimet seksuale, rasti shpërfaq një hap të jashtëzakonshëm përpara.
“Gratë kanë filluar ta ngrenë zërin dhe do të jenë edhe më të zëshme në të ardhmen”, ka thënë Sanja Pavloviq, nga grupi me seli në Beograd “Qendra për Gratë Autonome”. “Heshtja është thyer”.
Përhapja e dallgës
Aktorja e njohur serbe, Millena Radulloviq, tani 26 vjeçe, e nisi dallgën në mesjana, kur gjatë një interviste për të përditshmen “Blic” e akuzoi direkt trajnerin me ndikim të aktrimit, Mirosllav Alleksiq, për përdhunimin e saj, kur ishte vetëm 17-vjeçare.
Raduloviqi kishte prirë një grup aktoresh, të cilat iu drejtuan policisë me akuzat e tyre. Shumë shpejt, hollësitë e modelit të kahershëm të tmerrit nisën që të zbërtheheshin, duke rezultuar me arrestimin e 68-vjeçarit Alleksiq për sulme seksuale, përfshirë përdhunimin.
Alleksiqit iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh, në pritje të procedurave ligjore. Po qe se gjykohet dhe dënohet, atëherë mund të përballet me dënimin prej 15 vjetësh në burg. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat.
“Besonim thjesht se do të bëheshim bashkëpunëtore po qe se do ta lejonim vazhdimin e gjithë kësaj”, ka thënë Radulloviqi në një intervistë të mëvonshme për të përjavshmen “Nedeljnik”. Sipas raporteve, më shumë se 3.000 kandidatë për aktrim kanë qenë pjesë e shkollës së Alleksiqit gjatë 35 vjetëve të fundit.
“Asnjëri prej nesh nuk mund të ecë përpara me jetët tona madhështore dhe me karrierat e suksesshme, derisa diçka e tillë po i ndodhte një tjetër fëmije”, ka thënë Radulloviqi.
Në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroacinë fqinje, gratë reaguan menjëherë.
Brenda vetëm pak orësh, slogani #NisiSama (#NukJeVetëm), u shfaq nëpër rrjetet sociale, së bashku me faqen në Facebook - “Nisam Trazila” apo “Nuk e kërkova”,
Një numër i madh grash në Serbi, Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë kanë nisur menjëherë që t’i postojnë përvojat e tyre të abuzimit, me ç’rast jo pak syresh i kanë shpalosur rrëfimet për të parën herë në jetë. Deri në fund të janarit, faqja “Nisam Trazila” numëroi më shumë se 40.000 ndjekës.
Si rezultat, me dhjetëra ankesa për ngacmim seksual janë denoncuar vetëm brenda një nate të vetme – shifër kjo e përafërt me atë që zakonisht denoncohen gjatë një viti në tërë Kroacinë – dhe së paku dy profesorë universitarë janë ballafaquar me suspendim të menjëhershëm nga vendet e punës.
Më gjetkë në perëndim, në Slloveni, një aktore e re foli para një medie lokale se për rreth dy vjet ishte ngacmuar seksualisht nga një profesor në akademinë e dramës në Lubjanë. Një sondazh i kryer me studentë ka treguar se një në çdo dhjetë studentë kanë raportuar t’u jenë ekspozuar ngacmimeve seksuale, ka bërë të ditur agjencia zyrtare e lajmeve STA.
Në Maqedoninë e Veriut – e cila gjithashtu ka qenë dikur pjesë e Jugosllavisë – një protestë kundër ngacmimeve seksuale në rrjetet sociale ka gjeneruar disa qindra persona gjatë së mërkurës.
“Ajo çfarë ka dalë në dritë dhe është bërë kristal e qartë është se numrat janë tronditës”, ka thënë aktorja boshnjake, Nadine Miçiq, e cila ndihmoi në krijimin e faqes në Facebook, duke folur për agjencinë kroate të lajmeve “HINA”.
Kroacia është anëtare e Bashkimit Evropian, ndërsa Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina synojnë që gjithashtu të bëhen pjesë e saj, por që të tri vendet vazhdojnë të jenë tejet konservatore, me shkallë përgjithësisht të lartë të dhunës së bazuar në gjini dhe me dënime tepër të rralla gjyqësore për rastet e ngacmimeve seksuale.
Çrrënjosja e tabusë së ngacmimit seksual
Për ta kthyer dallgën kundër kësaj, aktivistët duan që të ushtrohet më pak presion mbi viktimat, të cilat rëndom ballafaqohen me procedura të stërzgjatura ligjore për rastet për ngacmim. Janë thelluar, gjithashtu, thirrjet për edukim më të hershëm për çështjen nëpër shkolla.
Fakti se gratë kanë mbledhur guximin për të folur publikisht lidhur me përjetimet e tyre është gjë e rëndësishme për to, mirëpo edhe për shoqërinë, ka thënë Aleksandar Baucal, profesor në Departamentin e psikologjisë pranë Universitetit të Beogradit. “Rastet e tilla na kërkojnë që t’i ndryshojmë bindjet e rrënjosura thellë, me të cilat kemi jetuar gjer më tani”, ka shtuar ai. “Ngacmimi (seksual) është një temë ‘tabu’ në një shoqëri tradicionale”.
Dy vjet më parë, një tjetër grua serbe ishte në qendër të një rasti të profilit të lartë rreth ngacmimit seksual.
Marija Llukiq i sfidoi kërcënimet për sigurinë e saj për ta nxjerrë shefin e saj të pushtetshëm në gjyq
Llukiqi siguroi një fitore të rëndësishme muajin e kaluar, pasi që abuzuesi i saj, një “burrë i pushtetshëm” prej një qyteti të vogël, nga radhët e partisë populiste në pushtet, u dërgua për ta shërbyer dënimin prej tre muajsh burgim.
Megjithëkëtë, teksa janë vërshuar nga dallga e mbështetjes, si Llukiqi ashtu edhe aktoret nga Beogradi janë ballafaquar edhe me komente negative e thumbime. Kanë thënë të jenë këshilluar në vazhdimësi nga familjarët dhe avokatët që ta harrojnë opsionin e paditjes së abuzuesve të tyre.
Zyrtarisht, shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë hedhur hapa të rëndësishëm në aspektin e fuqizimit të të drejtave të grave, por “maço” kultura mbizotëruese e mbërthyer me petkun e frikës prej turpërimit publik po qe se çështjet që lidhen me seksualitetin apo të tjerat private përfundojnë në gjyq i ka sprapsur e frenuar shumë gra.
Aktivistja Pavlloviq beson se kjo gjë është duke ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme – thirrjet në linjën telefonike të grupit të saj tani përqendrohen jo vetëm në dhunën në familje, por edhe në ngacmimin seksual, dhe ajo thotë se “gratë janë duke folur për këto gjëra tani edhe në dyqane, te parukieri, e në transportin publik”.
Edhe Baucali pajtohet se rasti i shkollës së aktrimit mund të shndërrohet në çështjen që i ndryshon rregullat e lojës, ngase viktimat janë vajza shumë të reja që shkojnë në një shkollë për t’i ndjekur ëndrrat.
Ai, megjithatë, ka paralajmëruar se “një transformim i tillë (në shoqëri) kërkon kohë dhe durim”.