Një vajzë palestineze 5-vjeçare është gjetur e vdekur teksa ishte bllokuar në veturë me të afërmit e tjerë të vdekur pas sulmeve izraelite në Gaza muajin e kaluar.
Më 29 janar, Hind Rajab kishte qenë duke udhëtuar në një veturë me xhaxhain e saj, gruan e tij dhe katër fëmijët e tyre, duke ikur nga luftimet në Gazën veriore, kur ata ranë nën zjarrin izraelit, sipas Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze (PRCS), shkroi CNN.
“Të gjithë në veturë u gjetën të vrarë nga ushtria izraelite pranë stacionit të karburantit Fares në zonën Tal Al-Hawa, në jugperëndim të qytetit të Gazës, pas rreth dy javësh prej kur nuk dihej për fati e saj”, sipas Khader Al Za'anoun, një gazetar palestinez që punon për CNN.
PRCS-ja konfirmoi gjithashtu vdekjen e dy punonjësve të ambulancës që u dërguan për të shpëtuar vajzën.
“Trupat izraelite synuan qëllimisht ekuipazhin e Gjysmëhënës së Kuqe, pavarësisht se kishin marrë koordinim paraprak për të lejuar ambulancën të arrinte në vendndodhje për të shpëtuar vajzën 5-vjeçare”, thuhet në deklaratë.
Edhe
Ushtria izraelite e pranon se kishte sulmuar veturën me 5-vjeçaren Hind Rajab në Gazë, nis hetimet
CNN i dha ushtrisë izraelite detaje rreth incidentit të premten e kaluar, duke përfshirë koordinatat e dhëna nga Shoqëria e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze. Në përgjigje, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se nuk ishin njoftuar për incidentin e përshkruar.
Kushëriri i Hind, 15-vjeçari Layan Hamadeh, bëri thirrje për ndihmë nga shërbimet e urgjencës, e cila u regjistrua nga PRCS-ja dhe u shpërnda në rrjetet sociale. Audioja e të shtëna armësh të dëgjuara gjatë telefonatës zbuloi se Hamadeh u vra ndërsa bënte thirrjen.
“Ata po qëllojnë mbi ne. Tanki është pranë meje. Jemi në veturë, tanku është pranë nesh”, bërtet Layan, mes të shtënave të forta në sfond.
Më pas Layan hesht dhe të shtënat e zjarrit ndalen.
Ndihmësi në telefon përpiqet të flasë me të, duke i thënë vazhdimisht: “Përshëndetje? Përshëndetje?" por nuk ka përgjigje.
Edhe
“Jam shumë e frikësuar, të lutem eja!”
E vetme, e tmerruar dhe e bllokuar në veturë me trupat e të afërmve të saj rreth saj, Hind më pas bëri thirrje për ndihmë.
“Eja më merr. Do të vish të më marrësh? Jam shumë e frikësuar, të lutem eja!” Hind tëdëgjohet duke thënë në audion e regjistruar drejtuar reaguesve, të lëshuar nga PRCS-ja.