Botë

Netanyahu këmbëngul për prezencë ushtarake në korridorin e Filadelfit në Gaza

Benjamin Netanyahu

Benjamin Netanyahu

Foto: Associated Press

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka këmbëngulur sërish se forcat izraelite nuk do të largohen nga Korridori i Filadelfit, një brez toke me rëndësi strategjike në Gazën jugore, përgjatë kufirit me Egjiptin.

Ai u ka thënë mediave të huaja në Jerusalem se është "i hapur" për të shqyrtuar alternativa ndaj pranisë së trupave izraelite përgjatë kufirit Gaza-Egjipt, si pjesë e çdo marrëveshjeje të ardhshme të armëpushimit të përhershëm, por se ai nuk e sheh se kjo do të ndodhë, raporton BBC.

Netanyahu argumentoi se trupat izraelite duhet të qëndrojnë në këtë zonë neutrale për të parandaluar kontrabandimin e armëve dhe ndoshta pengjeve izraelite përtej kufirit.

Hamasi ndërkaq, ka thënë në një deklaratë të cituar nga agjencia e lajmeve Reuters se vendimi I Netanyahut për të mos u tërhequr nga korridori i Filadelfit është një përpjekje për të penguar marrëveshjen e armëpushimit, duke shtuar se është koha për të ushtruar presion mbi Izraelin.

Kjo do të thotë se Netanyahu ka shtuar këmbënguljen e tij se Izraeli ka nevojë të mbajë trupa atje për sigurinë e tij, duke e përshkruar atë si një "vijë të kuqe".

"Njerëzit thanë: kjo do ta shkatërrojë marrëveshjen. Dhe unë them: një marrëveshje e tillë do të na vrasë", është shprehur ai.

Netanyahu ka thënë se lëshimet e tjera pasi Hamasi vrau gjashtë pengje javën e kaluar do të ishin "të palogjikshme, imorale dhe çmenduri”.

Komentet e tij erdhën ndërsa Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë një propozim të ri për një armëpushim dhe lirim pengjesh, duke shpresuar të thyejnë një bllokim të gjatë dhe t'i japin fund luftës gati 11-mujore.