Botë

Harrisi para Trumpit në tri shtete kyçe

Tim Walz & Kamala Harris

Tim Walz & Kamala Harris

Një sondazh i ri e vendos kandidaten demokrate Kamala Harris përpara atij republikan Donald Trump në tri shtete kyçe, duke sinjalizuar ndryshim dramatik për Partinë Demokratike kur kanë mbetur edhe tre muaj deri në zgjedhje.

Zëvendespresidentja aktuale është mbi ish-presidenti Trump me katër pikë në Wisconsin, Pensilvani dhe Michigan, sipas sondazheve të reja nga New York Times dhe Siena College.

Sondazhet u kryen midis 5 dhe 9 gushtit, në javën kur Harrisi emëroi Tim Walzin, guvernatorin e Minnesotas, si kandidatin për zëvendëspresident.

Është tregues i qartë se disponimi i amerikanëve ka ndryshuar që kur Joe Biden vendosi të tërhiqej nga gara dhe t’i hapte rrugë kandidimit të Harrisit. Vetëm para pak muajve, sondazhet në këto shtete amerikane tregonin se Biden ishte i barabartë ose pak pas Trumpit.

Sipas të anketuarve, Harrisi shihet si më inteligjente, më e ndershme dhe më e aftë për të drejtuar vendin sesa Trumpi.

Gjetjet, të publikuara të shtunën nga New York Times, tregojnë se 60 për qind e votuesve të pavarur, të cilën luajnë rol të madh në rezultatin e zgjedhjeve, janë shprehur të kënaqur me zgjedhjet e kandidatëve presidencialë, krahasuar me 45 për qind në maj.

Në Pensilvani, ku Bideni mposhti Trumpin me vetëm më shumë se 80 mijë vota katër vjet më parë, vlerësimi i Harrisit është rritur me 10 pikë që nga muaji i kaluar në mesin e votuesve.

Harrisit do t'i duhet ta fitojë Wisconsinin, Pensilvanin dhe Michiganin - shtete kyçe që i fitoi Bideni në vitin 2020 - nëse demokratët duan ta mbajnë Shtëpinë e Bardhë.