Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kush ishte lideri ushtarak i Hamasit që njihej si "macja me nëntë shpirtra"

Mohammed Deif

Mohammed Deif thuhet se është vrarë në një sulm ajror në Gaza më 13 korrik, por ushtria izraelitë këtë gjë e ka bërë të ditur vetëm të enjten, 1 gusht.

Deif ka udhëhequr brigadat Izz al-Din al-Qassam, krahun ushtarak të grupit ekstremist të Hamasit.

Ai ishte i njohur për palestinezët si “Mjeshtri”, ndërsa për izraelitët si “Macja me nëntë jetë”.

Autoritetet izraelite e kishin burgosur në vitin 1989, pas së cilës ai formoi brigadat al-Qassam me synimin që t’i kapte ushtarët e Izraelit.

Pas lirimit, ai ndihmoi në projektimin e ndërtimit të tuneleve që i çonin luftëtarët e Hamasit nga Gaza brenda Izraelit, raportoi BBC.

Deif ishte një nga burrat më të kërkuar të Izraelit, i akuzuar për planifikim dhe mbikëqyrje të vënieve të bombave në autobusë më 1996 që vranë dhjetëra izraelitë dhe për përfshirje në kapjen dhe vrasjen e tre ushtarëve izraelitë në mesin e viteve 1990.

Izraeli e burgosi në vitin 2000, por ai u arratis në fillim të kryengritjes së dytë palestineze.

Edhe Izraeli thotë se ka vrarë edhe shefin ushtarak të Hamasit Botë Izraeli thotë se ka vrarë edhe shefin ushtarak të Hamasit

Që nga atëherë, ai u largua pa asnjë gjurmë. Janë të njohura tri fotografi të tij, një prej të cilave ai është i maskuar dhe në tjetrën shihet vetëm si hije.

Tentim vrasjet më serioze ndaj tij ndodhën në vitin 2002: Deif mbijetoi, por humbi njërin sy. Izraeli thotë se ai po ashtu kishte humbur një këmbë dhe njërën dorë, dhe se ai kishte vështirësi në të folur.

Forcat e sigurisë së Izraelit sërish dështuan ta vrisnin Deifin gjatë një sulmi më 2014 në Rripin e Gazës, por ia vranë gruan dhe dy fëmijët e tij.