Mbi 230 milionë gra dhe vajza në botë, deri më tani i janë nënshtruar gjymtimit të gjenitaleve. Sipas një raporti të publikuar të premten nga agjencia për mbrojtjen e fëmijëve e Kombeve të Bashkuara (UNICEF), shumica prej tyre jetojnë në Afrikë.
Vetëm në tetë vjetët e fundit, rreth 30 milionë gra dhe vajza i janë nënshtruar procedurës, ku organet e jashtme gjenitale hiqen pjesërisht ose tërësisht, thuhet në raportin e UNICEF-it, i publikuar në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, raportoi AP.
Përqindja e grave dhe vajzave që përjetojnë gjymtim të organeve gjenitale është në rënie, ka thënë UNICEF-i, por ka paralajmëruar se përpjekjet për ta çrrënjosur praktikën janë të ngadalta krahasuar me popullsinë në rritje.
“Praktika e gjymtimit të organeve gjenitale femërore është në rënie, por jo me shpejtësinë e duhur”, thuhet në raport.
Kjo praktikë mund të shkaktojë gjakderdhje serioze e madje edhe vdekje. Vajzat janë bërë subjekt i procedurës që prej foshnjërisë në adoleshencë. Në terma afatgjatë, mund të çojë në infeksione urinare, probleme menstruale, dhimbje, komplikime në lindje, e po ashtu depresion e probleme të tjera të shëndetit mendor.
“Po shohim një trend shqetësues se më shumë vajza po bëhen subjekt i praktikës në mosha më të vogla, shumica para ditëlindjes së pestë”, ka thënë drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell.
Rreth 144 milionë gra dhe vajza kanë kaluar gjymtimin e gjenitaleve vetëm në Afrikë, pasuar nga Azia dhe Lindja e Mesme me 80 milionë dhe 6 milionë, thuhet në raport. Somalia kryeson listën e shteteve ku praktika është e përhapur gjerësisht, me 99% të gjinisë femërore mes moshave 15-49 që u janë gjymtuar organet gjenitale.
Edhe
Përpjekje për të shfuqizuar ligjin që e ndalon gjymtimin gjenital femëror në Gambi
Burkina Faso ka bërë progresin më të theksuar, duke zvogëluar përqindjen nga 80% në 30% përgjatë tri dekadash.
Praktika ndërkombëtarisht njihet si shkelje e të drejtave të grave dhe vajzave si formë ekstreme e diskriminimit gjinor. Gjymtimi i organeve gjenitale po ashtu konsiderohet shkelje e të drejtave për shëndet, siguri dhe integritet fizik, e të drejtës për të qenë e lirë nga tortura dhe mizoria, trajtimi çnjerëzor ose degradues, si dhe e të drejtës për të jetuar kur procedura mund të përfundojë me vdekje.
Në disa shoqëri kjo praktikë shihet si një traditë. Të tjerët e përdorin si formë shtypjeje të seksualitetit të vajzës.
-
Tri vajza vdesin pasi iu nënshtruan gjymtimit të gjenitaleve femërore
-
Raporti i OKB-së: Gratë gëzojnë vetëm 64% të të drejtave ligjore që gëzojnë burrat
-
UNICEF: Mbi 200 fëmijë, përfshirë njëvjeçarë, janë përdhunuar në Sudan
-
Një në tetë gra në botë janë përdhunuar ose sulmuar seksualisht para moshës 18 vjeç, thotë UNICEF