Botë

Biden: Duhet dënuar me forcë sulmet seksuale nga Hamasi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, të martën ka dënuar sulmet seksuale që raportohet të jenë kryer nga Hamasi gjatë sulmit të tij ndaj Izraelit më 7 tetor, raportoi CNN-i.

Duke folur në Boston, Bideni ka akuzuar Hamasin për refuzimin e lirimit të grave të tjera pengje dhe për t’i dhënë fund pauzës së luftimeve ku SHBA-ja ka ndihmuar ndërmjetësimin.

"Terroristët e Hamasit shkaktuan sa më shumë dhimbje dhe vuajtje te gratë dhe vajzat që ishte e mundur. Na takon të gjithëve të dënojmë me forcë dhunën seksuale të terroristëve të Hamasit”, ka thënë Bideni.

Sipas tij, refuzimi i Hamasit për të liruar vajzat e reja të mbetura është ajo që e ka thyer marrëveshjen dhe i ka dhënë fund pauzës në luftime.

"Të gjithë që ende mbahen peng nga Hamasi duhet të kthehen menjëherë në familjet e tyre”, është shprehur ai.

Hamasi ka mohuar se militantët e tij kanë kryer përdhunim gjatë sulmit të 7 tetorit.

Policia izraelite po heton nëse përdhunimi ka ndodhur gjatë sulmit, duke përdorur prova mjekoligjore, video dhe dëshmi të dëshmitarëve, teksa është thënë se hetimi i tyre mund të zgjasë me muaj.