Botë

Katër të vdekur në New York pas një sulmi me thikë, dy prej tyre fëmijë

Katër persona, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur pas një sulmi me thikë në Queens, New York.

Policia në orët e para të së dielës ka gjetur viktimat në një shtëpi që i ishte vënë zjarri.

I dyshuari ka goditur me thikë dy policë, para se të qëllohej nga njëri nga policët e plagosur.

I dyshuari është dërguar në spital, por u deklarua i vdekur pasi mbërriti atje.

Policia ka thënë se kishte marrë një telefonatë nga një grua e cila kishte deklaruar se kushëriri i saj po i vret anëtarët e familjes së saj.

Kur policët kishin mbërritur në vendin e ngjarjes kishin parë të dyshuarin duke u larguar me dy valixhe. Derisa ata ishin përpjekur të flisnin me të, ai kishte nxjerr thikën duke goditur njërin polic në zonën e qafës dhe gjoksit dhe tjetrin në kokë.

Njëri nga oficerët ka nxjerrë armën e tij dhe ka qëlluar të dyshuarin.

Kur më shumë oficerë u dërguan në vendngjarje, ata gjetën një vajzë 11-vjeçare në pjesën e përparme të shtëpisë. Ajo u dërgua në spital, por më vonë vdiq nga plagët e marra.

Pasi zjarrfikësit e New Yorkut mbërritën në vendngjarje, shërbimet e urgjencës gjetën trupat e tre personave të tjerë brenda shtëpisë: një djali 12-vjeçar, një femër 44-vjeçare dhe një mashkull rreth të 30-tave.

Një grua 61-vjeçare u dërgua në spitalin Mount Sinai me plagë të shumta me thikë.

Policia beson se të gjitha viktimat kanë vdekur si pasojë e plagëve të marra me thikë dhe nga vendi i ngjarjes.