Botë

4 të vrarë dhe 15 të zhdukur pasi anija greke u sulmua në Detin e Kuq

Houthi

Foto: Associated Press

Persona që dyshohet se i përkasin grupit militant Houthi kanë sulmuar dy anije të mallrave në Detin e Kuq, duke vrarë katër anëtarë të ekuipazhit në bordin e anijes së mallrave “Eternity C”. 

Ekipet e kërkim-shpëtimit të mërkurën kanë nxjerrë të gjallë gjashtë anëtarë të tjerë të ekuipazhit teksa po vazhdojnë kërkimet edhe për 15 persona të tjerë të zhdukur nga njëra prej dy anijeve. 

Pas vrasjes së katër anëtarëve të ekuipazhit, të tjerët braktisën anijen, e cila u fundos të mërkurën në mëngjes, pasi u sulmua gjatë dy ditëve të mëparshme, kanë bërë të ditur burime nga kompanitë e sigurisë të përfshira në operacionin e shpëtimit.

Gjashtë anëtarët e ekuipazhit që u shpëtuan kishin kaluar më shumë se 24 orë në ujë. Misioni detar “Aspides” i Bashkimit Evropian, i cili mbron anijet e Detit të Kuq, pati lëshuar një deklaratë duke konfirmuar se vetëm gjashtë persona ishin nxjerrë nga deti.

Houthit kishin marrë përgjegjësinë për një tjetër sulm të ngjashëm fundjavën e kaluar që kishte për cak një anije tjetër. I gjithë ekuipazhi i “Magic Seas” ishte shpëtuar para se anija të fundosej.

Zyrtarët e Houthive nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Sulmet ndaj dy anijeve ringjallin fushatën agresive të grupit që mbështetet dhe armatoset nga Irani, të cilët kishin sulmuar më shumë se 100 anije nga nëntori i 2023-tës deri në dhjetorin e 2024-tës, në atë që ata e quajtën akt solidariteti me palestinezët, përpara se të ndalonin përkohësisht sulmet e tyre në fillim të këtij viti.