Grupet ndërkombëtare të ndihmës në Afganistan po përpiqen të dërgojnë ndihmë për të mbijetuarit e tërmetit që goditi perëndimin e këtij vendi fundjavën që shkoi, si pasojë e të cilit mbeten të vdekur më shumë se 2 mijë persona e mijëra të tjerë u lënduan në shtetin e shkatërruar nga lufta, e të goditur rëndë nga krizë ekonomike.
Tërmeti me magnitudë 6.3 epiqendrën e pati 40 kilometra në perëndim të qytetit Herat.
Ky ishte një nga tërmetet më vdekjeprurëse që goditi Afganistanin ndër vite. UNICEF-i, organizatë e OKB-së për fëmijë, ka dërguar rroba, batanije dhe gjëra bazike shtëpiake e higjienike.
Ekipet po kryejnë gjithashtu vlerësime shtesë në terren dhe po ofrojnë barna e tenda për klinikat shëndetësore të mbingarkuara.