Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Qindra të vdekur nga tërmeti në Afganistan

Qindra dyshohet se kanë vdekur dhe shumë tjerë janë lënduar pasi një tërmet goditi perëndimin e Afganistanit të shtunën, raporton BBC.

Tërmeti 6.3 ballë Rihter shkatërroi disa fshatra rreth 40 kilometra nga qyteti Herat, që gjendet në afërsi të kufirit me Iranin.

Shumë ndërtesa janë shkatërruar, ndërsa njerëzit kanë mbetur të ngujuar nën rrënoja. Ka pasur së paku tri pasgoditje të fuqishme.

Ka raportime të ndryshme sa i përket shifrës së të vdekurve. Drejtori i spitalit provincial në Herat ka thënë për BBC-në se së paku 255 persona kanë vdekur dhe afro 500 janë lënduar. Disa thonë se shifrat janë dukshëm më të larta.

Ndërkohë të shtunën, shefi i departamentit për menaxhim të katastrofave në Herat, Mosa Ashari, u ka thënë gazetarëve se mbi 1000 janë lënduar, ndërsa rreth 120 kanë vdekur.