Një tjetër tërmet ka goditur Afganistanin perëndimor vetëm disa ditë pasi dy tërmete të mëdha në të njëjtin rajon shkaktuan më shumë se 1000 të vdekur, raporton agjencia “AP”.
Tërmeti i ri me magnitudë 6.3 goditi rreth orës 05:10 me orën lokale të mërkurën, 28 km në veri të qytetit të Heratit.
Më shumë se 100 u lënduan dhe u dërguan në spital, thanë zyrtarët shëndetësorë.
Ndikimi më i gjerë nga tërmeti i fundit nuk është ende i qartë, por bëhet e ditur se shumë prej banorëve ishin duke fjetur në ambient të hapur pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan të shtunën.
Agjencitë e ndihmës kanë thënë se ka gjithashtu mungesë të ushqimeve dhe furnizimeve të tjera.