Botë

NATO-ja mirëpret ndihmën e rëndësishme ushtarake të Norvegjisë për Ukrainën

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka vlerësuar ndihmën financiare dhe ushtarake të Norvegjisë për Ukrainën, një ditë pasi dërgesa e tetë tankeve Leopard të prodhimit gjerman të dërguar nga Oslo, ka mbërritur në vend, raportoi të shtunën “Euronews”.

Në një konferencë të përbashkët shtypi në Bruksel me kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Store, Stoltenbergu ka thënë se mirëpret ndihmën e konsiderueshme financiare, humanitare dhe ushtarake të Norvegjisë për Ukrainën.

"Kjo përfshin sistemet e mbrojtjes ajrore, tanke, municione artilerie dhe stërvitje për ushtarët ukrainas. Ne duhet të vazhdojmë t'i ofrojmë Ukrainës atë që i nevojitet për të mbizotëruar, për aq kohë sa duhet”, ka thënë ai.

Në janar, Norvegjia njoftoi se do të kontribuonte në dhurimin ndërkombëtar të tankeve në Ukrainë.

“Tani tetë tanket kanë mbërritur në Ukrainë dhe trajnimi i personelit po zhvillohet gjithashtu në Poloni, nën kujdesin e BE-së”, ka njoftuar ushtria norvegjeze në një deklaratë.

Stoltenbergu mirëpriti gjithashtu lajmin se Turqia dhe Hungaria janë të gatshme të ratifikojnë anëtarësimin e Finlandës në NATO. Ai u bëri thirrje atyre që "me shpejtësi" të heqin bllokimin e tyre në ofertën e Suedisë për t'u bashkuar me aleancën.

"Për mua është një përparësi kryesore të sigurohem që pranimi i Suedisë gjithashtu të ratifikohet sa më shpejt të jetë e mundur. Pranimi i Finlandës dhe Suedisë do ta bëjë aleancën tonë më të fortë dhe do të tregojë se dera e NATO-s mbetet e hapur”, ka thënë ai.

Si Finlanda ashtu edhe Suedia aplikuan në maj të vitit 2022 për t'u anëtarësuar në NATO pas pushtimit rus të Ukrainës, duke braktisur dekada të mosangazhimit.

NATO kërkon miratimin unanim të 30 anëtarëve të saj ekzistues për t'u zgjeruar dhe Turqia dhe Hungaria janë të vetmet vende që nuk i kanë ratifikuar ende ofertat e dyshes nordike.

Javën e kaluar, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se qeveria e tij do të ecë përpara me ratifikimin e aplikimit të Finlandës në NATO, duke i hapur rrugën vendit për t'u bashkuar me bllokun ushtarak.

Erdogani shtoi se Turqia nuk do ta ratifikojë ofertën e Suedisë përpara se të zgjidhen mosmarrëveshjet midis Ankarasë dhe Stokholmit.