Botë

15 të vdekur nga tërmeti i fuqishëm në Ekuador

Të paktën 15 persona kanë mbetur të vdekur dhe më shumë se 400 të tjerë janë lënduar në Ekuador, si pasojë e tërmetit të fuqishëm me magnitudë prej 6.7 ballë të Rihterit që ka goditur të shtunën bregun jugor të këtij vendi, raportoi të dielën BBC-ja.

Edhe ndërtesat në shumë qytete kanë mbetur të dëmtuara kur tërmeti goditi në mes të ditës.

Siç bëjnë të ditur autoritetet, provinca jugore El Oro është më e prekura, me gjithsej 12 viktima.

Peruja veriore ka ndierë lëkundjet, me ç’rast edhe një vajzë 14-vjeçare vdiq në provincën kufitare Tumbes, pasi shtëpia e saj u shemb.

Machala dhe Cuenca ishin dy qytetet në Ekuador, të cilat pësuan më së shumti dëmtime në ndërtesa dhe automjete, pasi shërbimet e urgjencës nxituan për të ndihmuar njerëzit.

Epiqendra ishte afër Balaos, rreth 80 kilometra nga qyteti i dytë më i madh në Ekuador, Guayaquil, ku jetojnë rreth tre milionë njerëz.

"Ne ikëm nga shtëpia," i tha BBC-së banori i Machalas, Exon Tobar. "Toka - ishte një shpërthim shumë i fuqishëm - e bëri atë të dridhej dhe bëri që kabllot elektrike, dritaret dhe gjithçka të lëviznin. Njerëzit ishin në rrugë duke u lutur sepse nuk ndaloi”, ka shtuar ai.

Presidenti ekuadorian, Guillermo Lasso, ka kërkuar nga qytetarët të ruajnë qetësinë, teksa autoritetet po merren me dëmtimet.

Ai gjithashtu vizitoi një spital në Machala, ku takoi disa nga të lënduarit.