Botë

Shkakton reagime videoja e kryeministres finlandeze duke vallëzuar

Descriptive Text

Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, po përballet me një reagim të ashpër pasi u pa duke vallëzuar në një video të publikuar.

Në pamjet, që mendohet se janë marrë nga rrjetet sociale, ajo dhe miqtë, përfshirë të famshëm finlandezë, shihen duke kërcyer dhe kënduar.

Ajo është përballur me kritika nga partitë opozitare, me një lider që i ka kërkuar të bëjë një test droge.

Marin, 36-vjeçare, mohoi të kishte marrë drogë, duke thënë se ajo pinte vetëm alkool dhe thjesht festonte “në një mënyrë të zhurmshme”, shkruan BBC-ja të enjten.

Marin nuk e fsheh festimin dhe shpesh është fotografuar në festivale muzikore.

Vitin e kaluar ajo kërkoi falje që shkoi në klub pasi ra në kontakt të ngushtë me një rast me COVID-19.

Vetëm javën e kaluar, Marin u quajt “kryeministrja më e lezetshme në botë” nga gazeta gjermane Bild.

Duke komentuar videon të enjten, ajo tha se e dinte se po filmohej, por ishte e mërzitur që videoja ishte bërë publike.

“Kam kërcyer, kënduar dhe festuar - gjëra krejtësisht të ligjshme. Dhe nuk kam qenë kurrë në një situatë ku kam parë ose njohur të tjerë [duke përdorur drogë]”, shtoi ajo.