Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ish-kryeministrja e Finlandës do të largohet nga Parlamenti

Ish-kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, e cila i humbi zgjedhjet në prill dhe u largua nga lidershipi i partisë, po planifikon të largohet nga parlamenti dhe t’i bashkohet Institutit Tony Blair për Ndryshim Global, raportoi të enjten Reuters.

Bazuar në pozicionin e saj të ri, Marin po kërkon zyrtarisht leje për të dhënë dorëheqjen nga Parlamenti, ka bërë të ditur partia e saj Social Demokrate e qendrës së majtë.

"Mendoj se kjo detyrë është e tillë që do të përfitojë edhe e gjithë Finlanda", ka thënë Marin para gazetarëve.

Ajo nuk përjashtoi pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme, por tha se nuk ka plane të tilla për momentin.

Instituti i politikave me bazë në Londër drejtohet nga ish-kryeministri britanik Tony Blair.

Marin ishte kryeministrja më e re në botë kur mori detyrën në vitin 2019 në moshën 34-vjeçare, duke tërhequr vëmendjen në mbarë botën dhe duke ndihmuar në ngritjen e profilit të Finlandës në një kohë të trazuar.