Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Marin, liderja më e re evropiane, braktis politikën

Ish-kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, e cila ishte në mesin e liderëve më të rinj në moshë në Evropë dhe zë i fuqishëm në përkrahje të Ukrainës, të enjten ka konfirmuar se do të braktisë politikën finlandeze dhe do t’i bashkohet një organizate joqeveritare me bazë në Londër.

Marin, e cila ishte 34-vjeçare kur mori postin e kryeministres në vitin 2019, i priu koalicionit qeverisës prej pesë partive deri në prillin e vitit 2023. Ajo ka fituar përkrahjen e kabinetit për menaxhimin e pandemisë Covid-19 dhe ishte zë i fuqishëm për Ukrainën sidomos vitin e kaluar kur u përqendrua më shumë në politikën e jashtme të shtetit. Në mandatin e saj, Finlanda u bë anëtarja e 31-të e NATO-s.

“Koha të vazhdoj tutje”, ka thënë Marin. “Mezi pret të nis rolin e ri. Besoj se nga kjo përfiton krejt Finlanda”, ka shtuar ish-kryeministrja.

Në muajin prill, Finlanda u anëtarësua në aleancën ushtarake të NATO-s, një prej lajmeve më të hidhura për presidentin rus Vladimir Putin, duke forcuar pozicionin e Evropës që ishte lëkundur nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës. Finlanda kishte qëndrime neutrale pas humbjes së luftës me sovjetikët në Luftën e Dytë Botërore, por liderët e saj sinjalizuan se donin të anëtarësoheshin në NATO pasi pushtimi rus i Ukrainës ngjalli frikën se Finlanda mund të jetë shteti i radhës që sulmohet nga Rusia.

“Besoj se mund t’u shërbej votuesve edhe më mirë, ndoshta edhe më mirë në angazhimin e ri”, ka thënë Marin në konferencën për media teksa ka njoftuar largimin edhe nga posti i deputetes në parlamentin Eduskunta të Finlandës. Në fillim të muajit, ajo kishte dhënë dorëheqje edhe nga posti i kryetares së Partisë Socialdemokrate të Finlandës.

Artikuj të ngjashëm