Botë

SHBA-ja kërkon që të përjashtohet Rusia nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, ka bërë thirrje të martën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që të votohet për përjashtimin e Rusisë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut në OKB, raporton agjencia AP.

“Rusia po e përdor anëtarësimin në Këshillin për të Drejtat e Njeriut si platformë për propagandë për të sugjeruar se Rusia ka shqetësim legjitim për të drejtat e njeriut”, ka thënë Thomas-Greenfield.

Çdo rezolutë për të pezulluar anëtarësimin e Rusisë kërkon që dy të tretat e shteteve anëtare të votojnë pro.

Ambasadorja amerikane ka thënë se ka dëshmi të shumta se Rusia ka kryer krime lufte në Ukrainë.

“Ne të gjithë kemi parë fotot e tmerrshme. Trupa të pajetë që qëndrojnë në rrugë me gjasë të ekzekutuar. Duart e lidhura prapa shpinës”, ka thënë Thomas-Greenfield.